Miliona venezuelianë iu bashkuan grevës së përgjithshme të organizuar nga opozita, ndërsa presionet ndaj Presidentit Nikolas Maduro për anulimin e zgjedhjeve për asamblenë e re kushtetuese po rriten gjithmonë e më shumë.
Të paktën 3 persona humbën jetën si pasojë e përleshjeve mes policisë dhe protestueseve, mbi 360 të tjerë u arrestuan.
Maduro tha se pjesëmarrja në grevë ishte minimale dhe se liderët e saj do të arrestoheshin. Protestuesit bllokuan rrugët në kryeqyteitn Karakas dhe qytetet e tjera me mbeturina dhe mobilje.
Opozita tha se 85 përqind e vendit iu bashkua grevës, por në zonat proqeveritare jeta vazhdoi si zakonisht me dyqanet e hapura dhe rrugët e populluara me njerëz. Në disa qytete policia hodhi gaz lotsjellës gjatë përleshjeve me protestuesit.
Një viktimë u raportua në periferi të Karakasit, ndërsa dy të tjerë vdiqën në qytetin verior të Valencias. Kolumbia, Franca, Spanja, SHBA dhe BE i bënë thirrje qeverisë venezualiane të anulojë votimin për asamblenë e re kushtetuese më 30 korrik.
Por Maduro i ka refuzuar thirrjet. Në një fjalim televiziv ai e cilësoi si një triumf faktin se sektorët kyç nuk i ishin bashkuar grevës.
“Puna, dashuria, jeta dhe shpresa triumfuan. Ata nuk kanë punuar kurrë dhe le të vazhdojnë në rrugën e tyre. Ne do të bëjmë përpara. Kam urdhëruar arrestimin e të gjithë fashistëve terroristë”, deklaroi ai.
Asambleja e re do të ketë fuqinë të rishkruajë Kushtetutën dhe të anashkalojë legjislaturën e kontrolluar nga opozita. Politikanët opozitarë thonë se Maduro kërkon të përdorë asamblenë për të forcuar kapjen e pushteti, ndërsa Presidenti pretendon se Kushtetuta e re do të promovojë dialogun në vendin e përçarë. Që prej intensifikimit të protestave opozitare në muajin prill, gati 100 persona kanë mbetur të vrarë në gjithë vendin.