Situata në Venezuelë pësoi një përshkallëzim të menjëhershëm pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur liderin opozitar, Juan Guaido, si President të përkohshëm të vendit.
Maduro e ka qeverisur vendin që kur fitoi shumë ngushtësisht zgjedhjet në vitin 2013, pas vdekjes së udhërrëfyesit të tij, Hugo Chavez. Që prej atëherë, udhëheqësi venezuelian e ka konsoliduar kontrollin mbi institucionet kyçe shtetërore, përfshirë Gjykatën e Lartë si dhe atë që konsiderohet si burimi kryesor i të ardhurave të vendit, kompaninë shtetërore të naftës PDVSA.
Nën drejtimin e tij, ekonomika është rrënuar krejtësisht, duke e zhytur Venezuelën në varfëri të thellë e duke detyruar me miliona njerëz të largohen. Mbi regjimin e Maduros rëndojnë një sërë sanksionesh perëndimore. Ai bëri betimin për një mandat të dytë 6-vjeçar në krye të shtetit në muajin maj në zgjedhjet shumë polemizuese presidenciale të bojkotuara nga opozitarët e të kritikuara ashpër nga fuqitë perëndimore dhe shumica e vendeve të Amerikës Latine.
Tani, sytë janë drejtuar tek Maduro, pasi të gjithë duan të shohin nëse do të arrijë të shmangë frakturimin e elitës për të ruajtur kontrollin, sidomos mbi ushtrinë. Në Kilin fqinj sakaq, mijëra vetë dolën në protestë kundër tij, ndërsa një sërë vendesh të Amerikës Jugore e njohën gjithashtu kreun e opozitës Guaido si President të përkohshëm dhe Bashkimi Europian bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në mënyrë që të rivendoset demokracia./TCH/