Vepra e Babait të Kombit le të jetë sot udhërrëfyes për kolegët e mi

(Në shenjë përkujtimi të 100 vjetorit të vdekjes së Arkitektit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Ismail Qemalit)

          Nga Afrim Tahiri

 

Vëllezër,

Ju ftoj që me shpirt ta këndojmë një Fatiha për Babain e Kombit, Ismail Qemalin! Para një shekulli iku nga ne për të jetuar përjet me kombin shqiptar!

Ismail Qemali ishte deputet i një Kuvendi që përfaqësonte pushtetin më të madh të kohës, anekënd botës! Ishte nën urdhërin e Sulltanit të Perandorisë Osmane! I shërbeu deri në momentin kur ndjeu se po vie Ora Shqiptare! Nuk u josh me asgjë, nuk pranoi të shitet, nuk u tundua nga ofertat e hatashme, nuk i bëri përshtypje asgjë – të gjitha i refuzoi për t’i prirur procesit të Pavarësimit të Atdheut.

Ia ktheu shpinën të mirave që vinin nga pushtetet, nuk u josh nga postet, nuk u korruptua, JO i tha ofertave, pozitave, interesave meskine, sepse ftesa e Hasan Prishtinës, e Bajram Currit, e Isë Boletonit, e Idriz Seferit, ishte Ftesë për në Parajsë, të cilën assesi nuk do ta refuzonte Ismail Qemali. Iu bashkangjit rrebelëve, Trimave të Kombit, mori udhën plotë me sfida, me rreziqe, me kërcënime, të shtruar me gjemba e të vështruar nga sytë e xhelatit, megjithatë, u nis drejt Dritës!

U ndoq e përndoq hap pas hapi, ia lëshuan ndonjë “shqiptar” që t’i kërcënohet, megjithatë, projekti i tij ishte shumëfish më i fuqishëm se sa frika nga kërcënimet që nuk i bënte hesap, sepse, po ndjente se Zoti e kishte caktuar për një mision të shenjtë – Për ta shpallur Pavarësinë e Shtetit Shqiptar.

Pra, vëllezër të dashur

Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi! Ska fuqi që mund ta zhbëjnë ndjenjën që e ushqen atdhedashurinë, lirinë, pavarësinë, jetën dinjitoze! Kur të vie ky moment, këtë e ndjejnë edhe zogjtë e malit dhe jo vetëm njerëzit e okupuar e të poshtëruar. Liria është kushti-sharti i parë i njerëzimit. Vrasësit e lirisë, okupatorët e diktatorët nuk janë asgjë tjetër përveç njollë prej pluhuri. Me një të shkundur me maje të gishtave, ikë pluhuri, ikë njolla, ikë okupatori.

Vëllezër, shkundeni njollën, përkujtojeni Babain e Kombit, Ismail Qemalin dhe, urdhëroni ta këndojmë nga një Fatiha për shpirtin e tij. AMIN!

(Autori është Drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në Bashkësinë Fetare Islame në RM)

Leave a Reply