Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë ilegale është i vështirë, konstatojnë nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”. Gjatë periudhës së analizës, është detektuar numër i vogël i masave të shqiptuara- konfiskim , në vetëm 20% të rasteve të monitoruara. Hetimi i procedurave të përfunduara të plotfuqishme ka treguar se shuma më e madhe e konfiskimit ka qenë rreth 250 mijë euro, ndërsa më e ulëta vetëm 500 euro, edhe atë për evazion fiskal. Përveç kësaj, Koalicioni ka arritur në përfundimin se në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk ka pasur pothuajse asnjë konfiskim të pasurisë.
Nga njëra anë, vetë Ligji i procedurës penale nuk është i qartë, nëse Prokurori duhet të dorëzojë propozim formal për konfiskim, që në masë të caktuar është shkak pse prokurorët fare nuk dorëzojnë kërkesa të këtilla. Vetëm në nëntë prej këtyre 30 rasteve ku është shqiptuar konfiskimi, ekziston kërkesë formale nga Prokurori – tha Darko Avramovski- koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”.
Profesori universitar, Nikolla Tupançevski vlerëson se Ligji për konfiskimin e pronës nuk zbatohet mjaftueshëm. Praktika ka treguar se persona të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion, ende pa filluar procedura ndaj tyre, e kanë transferuar pronën te anëtarët e familjes apo miqtë e tyre.
Duhet të kihet kujdes dhe të parandalohet derisa zgjat procedura penale, që prona të jetë e sigurt. Të mos ngarkohet nga subjekte të tjera, që nënkupton mos- realizim të qëllimit të vendosur respektivisht konfiskimi i pronës së fituar ilegalisht – u shpreh Nikolla Tupançevski- profesor universitar.
Vitet e fundit në fokus të opinionit ishte rasti “Trust” ku me katër vite e gjysmë u dënua biznesmeni Sead Koçan, njëri nga pronarët e kompanisë “Transmet”. Ai u akuzua për keqpërdorim gjatë gërmimit në “TEC Manastiri” për shkak të themelimit të një konzorciumi të rrejshëm. Gjykata vendosi se në buxhet duhet të kthehen 17 milionë euro, aq sa ka qenë tenderi i gërmimit. Por, këtë rast e bllokuan disa procedura civile për borxhet e kompanisë “Transmet”. Përveç shtetit, për pagesë presin edhe 270 kreditorë pasi kompania falimentoi.