Del Monaco: Nuk shikoj ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i është bashkuar deklaratës së Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mbështetje të zgjatjes të mandatit të institucioneve të vettingut.
“Lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut, Ambasadori Del Monaco më tej përsëriti se ai nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi”, thuhet në një reagim të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.
Në një deklaratë të përbashkët të martë, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe Ambasada e SHBA në Tiranë u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjatjen e afateve të institucioneve të vettingut në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Në deklaratë thuhej se votimi për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Ndryshimet kushtetuese për organet e vettingut janë parashikuar për t’u votuar të enjten në Parlament.