Vettingu, OSBE i bashkohet thirrjes së SHBA-BE: Të votohet zgjatja e afateve të komisioneve

Del Monaco: Nuk shikoj ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i është bashkuar deklaratës së Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në mbështetje të zgjatjes të mandatit të institucioneve të vettingut.

Duke folur në një takim vjetor strategjik mes Prezencës dhe Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Kryetari i Prezencës, ambasadori Vincenzo Del Monaco, theksoi progresin e arritur deri më tani në reformën në drejtësi dhe shprehu besimin e plotë për rezultate të mëtejshme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të vettingut, Ambasadori Del Monaco më tej përsëriti se ai nuk shikon ndonjë plan B apo kthim mbrapa në reformën në drejtësi”, thuhet në një reagim të Prezencës së OSBE-së në Tiranë.

Në një deklaratë të përbashkët të martë, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dhe Ambasada e SHBA në Tiranë u bënë thirrje deputetëve të Kuvendit që të votojnë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjatjen e afateve të institucioneve të vettingut në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Në deklaratë thuhej se votimi për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.

Ndryshimet kushtetuese për organet e vettingut janë parashikuar për t’u votuar të enjten në Parlament.

Leave a Reply