Shtatë vjet më parë, Bashkësia Fetare Islame organizoi tribunë shkencore “80 vjet kushtetutshmëri të BFI-së”! Asnjë institucion shtetëror nuk shprehu as interesim dhe as urime për tetë dekadat e funksionimit të Bashkësisë Fetare Islame bazuar në Kushtetutën e vet! Tani vjen dilema: në fillim ishte veza apo pula
Shkruan Mr. Eset Shaqiri
Këto ditë, Komisioni për marëdhënie me bashkësitë fetare dhe grupet religjioze na paska organizuar një akademi solemne “80 vjet nga themelimi i Komisionit Fetar në Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe Detashmenteve Partizane të Maqedonisë. (1943-2023)”. Në këtë event ku ishin të ftuar dhjetra priftërinj e funksionarë të Kishës ortodokse maqedonase dhe të kishave të tjera, prezantoi edhe Shaqir Fetai! Në faqen zyrtare të “bashkësisë” së tij, shërbimet e tij skajshmërisht amatore për informim, publikojnë lajmin që thotë, “reisi mori pjesë në shënimin e jubileut të 80 vjeçarit të formimi të kryesisë fetare në Maqedoninë e Veriut.”! Ky lajm, kjo fjalia si e tillë, e dalur nga gazetarë, lektorë, redaktorë, drejtorë sektoresh inegzisten, jokushtetuese, jo që të shkulë së qeshuri, porse krijon përshtypjen se Shaqir Fetai as që e ka ditur se për ku është i ftuar! I përgjigjet një institucioni i cili para shtatë viteve as që e ka uruar BFI-në për 80 vjetorin e funksionimit të saj si kategori kushtetutare – Institucion! Me gjasë, pasi kthehet në zyren e vet Shqair Fetai, tek atëherë ndërgjegjësohet se ka bërë një gabim flagrant dhe urdhëron që lajmi të maskohet dhe të mjegullohet sa më shumë!
Shërbimet e Shaqir Fetait duhet ta thonë të vërtetën, të shkruajnë saktësisht për lëvizjet e tij korridoreve të institucioneve shtetërore dhe të jenë sa më objektiv. Sepse, Shaqir Fetai, prezantoi në Akademinë solemne kushtuar themelimit të Komisionit Fetar në Shtabin e Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe Detashmenteve Partizane të Maqedonisë, Komision ky i krijuar me urdhër të komandantit të shtabit kryesor, gjeneral Mihajlo Apostolski. (1943-2023)”. Çka është kjo nostalgji për “vlerat partizane” në themel të ngritjes së komunizmit dhe të shtetit socialist?
Po në këtë ushtri a nuk pat asnjë shqiptar, asnjë mysliman që paska dhënë kontributin e vet! Po në këtë Komision të parin fetar a nuk paska pasur të përfshirë asnjë hoxhë që nuk u përmendën në asnjë fjalim që u mbajtën në këtë Akademi! Atëher, çka kërkon Shaqir Fetai aty ku madhërohet deri në shenjtëri Referenti i parë fetar i këtij komisioni, Veljo T. Mançevski, si dhe kryetari i parë i komisionit, Epaminonda Pop Andonov!
Shaqir Fetai është dashur qysh para dy jave që të kërkojë nga Komisioni për marëdhënie me bashkësistë fetare dhe me grupet religjioze që t’i mbledhë liderët e bashkësive fetare dhe të grupeve religjioze dhe bashkarisht të nënshkruajnë ndonjë memorandum drejtuar Kombëve të Bashkuara që sa më parë të ndalohen luftimet në Rripin e Gazës, të vihet paqe dhe të dënohen sulmet izraelite mbi popullatën civile palestineze! Ky është misioni i një Komisioni fetar dhe jo të impenjohet në “shtabe” ku shtrembërohen faktet përmes censurimit të të vërtetës së përfshirjes së shqiptarëve dhe myslimanëve të vendit në të gjitha proceset e themelimit të këtij shteti! Prezantimi i Shaqir Fetait nëpër “evente” të tilla vetëm sa i legjitimon angazhimet e “komisioneve” në retushimin e fakteve që përjashtojnë shqiptarë e myslimanë nga rrugëtimi i shtetëbërjes së kësaj “dërzhave”!