Vjedhje dhe emra të rremë, Prokuroria: Rakipi dhe Rehovica, fshehën ndalimet në Itali

Janë ndaluar në Itali për vjedhje dyqani apo për mallra të vjedhur dhe kanë përdorur emra të rremë. Por në formularët e dekriminalizimit deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica i kanë fshehur akuzat dhe emrat me të cilët u rëndojnë ato.

Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte ne Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj.

Më 3 nëntor të atij viti është raportuar ne Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996.

Këto fakte të fshehura u zbuluan nga hetimi i thelluar, ndërkohë që deputeti i PDIU-së e kishte detyrim ligjor të tregonte në formularin e vetëdeklarimit nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale apo nëse ka qenë ndonjëherë i ndaluar, apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale. Përgjigja e tij në formular ka qenë “Jo”.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, më të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani” , bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Këto të dhëna kanë dalë vetëm nga verifikimet në shtetin italian, i cili edhe në rastet e tjera është përgjigjur shumë shpejt, ndërsa mësohet se të dhëna janë kërkuar edhe në vende të tjera europiane.

Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë njohur të mërkurën me konkluzionet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa mbledhja pritet të mbahet me 3 janar./TCH/

Leave a Reply