Vjosa Osmani në Gjermani: Kosova nuk mbështet asnjë ide që minon “Procesin e Berlinit”

Në vizitën e saj të parë zyrtare në Berlin, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani është pritur nga homologu Frank Valter Shtajnmajer, ndërsa do të takohet edhe me ministrin e Jashtëm, Haiko Mas.

Në një postim në rrjetet sociale, presidentja Osmani shprehet se ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, sigurimin e njohjeve të reja, si dhe për liberalizimin e vizave.

Kryetarja e shtetit gjithashtu ritheksoi qëndrimin e Kosovës ndaj Procesit të Berlinit.

VJOSA OSMANI

PRESIDENTE E KOSOVES

“Potencova se çdo ide tjetër që synon të jetë paralele me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Berlinit, duke minuar parimin e pjesëmarrjes së barabartë të shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk do ta ketë mbështetjen e Republikës së Kosovës.”

Vizita e presidentes Vjosa Osmani ndodh në një kohë kur Gjermania dhe veçanërisht kancelaria Merkel është duke u përpjekur të gjejë një zgjidhje, në mënyrë që deri më datën 6 tetor të këtij viti, në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor, të finalizohen katër marrëveshjet që parashikojnë lëvizjen e lirë të mallrave, të qytetarëve me karta identiteti, udhëtimet në vendet e treta dhe njohjen e diplomave reciproke.

Marrëveshjet në fjalë janë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilin janë zotuar të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, si në Sofje, në samitin e vitit 2020, ashtu edhe në Samitin Virtual të Berlinit, më 5 korrik të këtij viti.

 

Leave a Reply