Vota në OKB, Bushati jep argumentet: Nuk ishte kundër SHBA, respektojmë rezolutat detyruese

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka sqaruar zyrtarisht sot votën kundër ShBA-ve për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Në një reagim të gjatë, Bushati cilëson këtë jo një votë kundër SHBA por një respektim të dokumenteve dhe rezolutave të mëparshme qe i jane referuar Jeruzalemit.

Reagimi i plote

PËR VOTËN E SHQIPËRISË NË OKB!

Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve.
Fakt është që rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria dje, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit. Më konkretisht Rezoluta 252 e vitit 1968, Rezoluta 476 e vitit 1980, Rezoluta 478 e vitit 1980 dhe me e fundit, Rezoluta 2334 e vitit 2016. Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne.
Po ashtu, Shqipëria ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së.
Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi.
Hannah Arendt ka pasur të drejtë kur thoshte se e keqja më e madhe e një shoqërie nuk është nazisti i bindur e as komunisti i devotshëm, por të gjithë ata për të cilët dallimi mes fakteve dhe trillimeve, të vërtetave dhe gënjeshtrave, nuk ekziston.

Leave a Reply