Policia e Shkodrës ka një emër si të dyshuar në lidhje me vrasjen makabre të dy turistëve çekë Michal Svato dhe Anna Kosinova, por për arsye hetimi ky emër nuk bëhet i ditur, madje mbahet sekret hetimor dhe dihet vetëm nga një numër i kufizuar drejtuesish të policisë.
Burime konfidenciale pohuan për Top Channel se policia ka një emër që ka dyshime të forta se personi në fjalë ështe autor ose ka lidhje të forta me ngjarjen. Top Channel ka mësuar se ky person është rreth 25 vjeç dhe banues nga zona ku ka ndodhur krimi.
Gjithashtu, dyshimet janë se personi mund të ketë qenë dhe pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan helikopterin e policisë një vit më parë në Pult të Dukagjinit, gjatë operacionit antikanabis. Madje, ka dyshime se autorët ose autori është pjesë e personave që ruajnë parcela kanabisi në zonat e thella të Dukagjinit.
Dyshimet gjithashtu janë se nisur nga fakti që nuk janë marrë sende personale, mbase autorët mund të kenë tentuar të marrin fuoristradën, por kanë dështuar.
Gjithsesi, burimi pohoi për Top Channel se për momentin këto informacione mbesin në nivelin e dyshimeve ku janë përqendruar disa nga pistat e ngritura. Ndërkohë, policia po përpunon me detaje 413 fotot e gjetura në dy aparatet fotografike të dy turistëve të vrarë.
Aktualisht, aksionet e policisë dhe FNSH-së në krehjen e zonave të dyshuara vazhdojnë në gjithë zonën e Dukagjinit.