Një video që dyshohet se është publikuar nga Shteti Islamik tregon 25 persona që ekzekutohen me plumb pas koke në qytetin e lashtë Palmira, në Siri.
ISIS deklaroi se, të ekzekutuarit janë ushtarë të kapur në qytetin e Homsit dhe se ata u qëlluan brenda amfiteatrit të Palmirës. Nga pamjet filmike vihet re se vrasësit janë djem të rinj, ndoshta të moshave 13 deri në 14 vjeç.
Videoja u shpërnda në llogari të faqeve të internetit që përdoren nga militantët e grupit, por ende nuk dihet periudha e saktë se kur është filmuar.
Ekzekutimet u kryen në një skenë përballë amfiteatrit, ku ishte vendosur edhe një flamur i madh i ISIS.
Në video duken edhe qindra persona të veshur civilë që qëndrojnë të ulur në shkallët e amfiteatrit, duke parë masakrën. Ndërsa personat që presin ekzekutimin, në fytyrat e tyre kanë shenja dhune.
Militantët e grupit terrorist që po terrorizon Lindjen e Mesme e morën nën kontroll qytetin e lashtë në fund të majit. Vetëm pak ditë më pas, ata ekzekutuan 20 burra në të njëjtin vend.
Në atë kohë, Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut, me bazë në Londër, njoftoi se banorë të zonave përreth ishin mbledhur me forcë dhe ishin detyruar të shihnin vrasjet.
Ndërsa Mamoun Abdelkarim, drejtor i institucionit përgjegjës për antikitetin, tha: “Përdorimi i teatrit romak për të ekzekutuar njerëzit tregon se këta njerës janë kundër njerëzimit”.