Vuçiq: SHBA-ja s` heqë dorë nga kërkesa për njohjen e pavarësisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq,tha se shpreson që në raport me Kosovën të kenë fuqinë që gjërat t’i vendosin në nivel racional, ndryshe “atë disfatë do ta bartim në shpinën tonë”.

Siç citohet të ketë thënë, ai ka drojë nëse do të jenë në gjendje ta parashtrojnë atë dialog dhe është skeptik sa i përket suksesit, por ka thënë se ky dialog me siguri do të hapet.

Sidoqoftë, ka shtuar ai, nëse duhet të zgjedhë ndërmjet konfliktit të ngrirë ose kërkimit të zgjidhjes, ai është i përcaktuar qartë për opsionin e dytë.

“Thuaja jam i sigurt se nuk do ta zgjidhim problemin, pavarësisht nga dëshira ime se kjo do të ishte e mirëseardhur dhe e dobishme për Serbinë”, është shprehur për Happy TV, shkruan gazeta e Beogradit, Novosti.

“Mendoj dhe shpresoj se do të kemi fuqi që çështjet t’i shtrojmë në nivel racional, e nëse nuk do të kemi forcë atëherë kjo do të jetë disfatë, që do ta bartim në shpinën tonë. Dhe kjo nuk do të jetë asgjë e re në historinë serbe, do të ishte risi të dalim nga konflikti i ngrirë”, ka thënë Vuçiq.

Ai shprehet i bindur edhe se është iluzion dhe përrallë për fëmijë të vegjël se SHBA-ja do të heqë dorë nga kërkesa për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Perëndimi na kërkon të vazhdojmë bisedimet, por është e qartë se kjo shkon në drejtimin që e mbështet pjesa më e madhe e vendeve, e kjo do të thotë në drejtim të njohjes së pavarësisë, ndërsa nga ana tjetër kemi përkrahjen e Rusisë, të Kinës dhe Indisë e të tjerëve”, thotë Vuçiq.
Ai konsideron se është mirë të kemi mite, që të mendojmë mirë për Serbinë, por është i bindur edhe se duhet të jetojmë për fëmijët tanë dhe se duhet të shikojmë nga e ardhmja, transmeton Koha.net.

“Kjo nuk do të thotë se do ta njohim Kosovën. Ne serbët kemi nevojë patologjike që t’i zvarrisim gjërat, ndërsa ato me kalim të kohës bëhen gjithnjë më të rënda. Askush nuk ka guximin ta thotë të vërtetën në sy”, shprehet ai, duke i lutur përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe politikanët e Serbisë, të gjithë ata që marrin pjesë në jetën politike, që të bëhen pjesë e debateve rreth kësaj teme.

Meqë, siç ka thënë ai, është mirë të dëgjohen qëndrime të ndryshme, të zhvishen të gjitha palët dhe pastaj të gjendet mesi me vështrim – çfarë mund të bëhet.
“Do të doja, fjala vjen, – ka thënë Vuçiq, – që barrën e rëndë të mos ua lëmë fëmijëve tanë, por që “së paku mes nesh ta zgjidhim dhe ta heqim nga shpina jonë – kjo nuk do të thotë, siç mendojnë disa, njohjen e pavarësisë, por të gjejmë një qasje reale dhe racionale”.

Leave a Reply