Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, i bëri thirrje partisë shqiptare BDI të braktisë qeverinë e Nikola Gruevskit, për ta rrëzuar këtë të fundit nga pushteti. Zaev tha se, funksionarët e partisë së Ali Ahmetit janë të përfshirë në aferat kriminale të qeverisë, prandaj – sipas tij, – BDI-ja e ka të vështirë të vendosë për t’u larguar nga qeveria.
“BDI është pjesë e pushtetit dhe ata janë bashkëpunëtorë të VMRO-DPMNE-së. Nuk mund të amnistohen, përveçse nëse nuk do të ishin drejtpërdrejt të përfshirë në ndonjë aferë kriminale konkrete, prej 25 milionë eurosh. Ata kanë qëndruar pranë VMRO-së, kur kanë ndodhur të tilla raste, ndaj dhe janë bashkëfajtorë. Ftoj BDI-në të braktisë qeverinë. Nuk është e thënë me patjetër që të presin Gruevskin për të ndërmarrë hapin e parë. Nëse nuk janë bashkëpunëtorë në krim, këtë mund ta dëshmojnë me braktisjen e qeverisë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.
Ndërkohë, lideri opozitar ka ndryshuar qëndrimin e javës së kaluar, teksa kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në takimin e 10 qershorit në Bruksel. Të hënën, ai bëri të ditur se do të marrë pjesë në atë takim, sepse është i interesuar që kriza në Maqedoni të tejkalohet përmes dialogut. Megjithatë, Zaev tha se zgjidhja nuk mund të arrihet pa largimin e Gruevskit nga qeveria.
“Ndonëse në negociatat për zgjidhjen e krizës jemi në një situatë jo të barabartë dhe jo korrekte, ne vazhdojmë të bisedojmë, sepse besojmë që ekziston mundësia të gjejmë një zgjidhje për krizën, në mënyrë të qetë. Kjo është porosia e të gjithë njerëzve, që po protestojnë këtu para qeverisë. Le të dëgjojë e gjithë bota, se edhe pa dhunë mund të rrëzohet një regjim autokrat dhe diktatorial”, tha Zaev.
Këto komente, lideri i socialdemokratëve maqedonas i bëri gjatë një konference për mediat, ku bëri të ditur se pushteti ka përgjuar prej vitesh drejtuesit e dhjetëra organizatave joqeveritare në Maqedoni.