Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se shteti i tij, është i gatshëm të nisë kundërofensivën e shumëpritur, për t’i çliruar territoret e pushtuara nga forcat ruse.
Por, ai ka paralajmëruar se kundërofensiva do të jetë e kushtueshme.
“Ne besojmë fuqishëm se do të dalim fitimtarë”, ka thënë Zelensky në një intervistë të publikuar në të përditshmen amerikane, Wall Street Journal, më 3 qershor.
“Nuk e di sa do të zgjasë. Për të qenë i sinqertë, mund të ndodhin shumë gjëra, do të shkojnë në disa drejtime. Mirëpo ne do ta nisim, dhe jemi të gatshëm”, ka thënë ai.
Zelensky ka thënë se ushtria ukrainase nuk i ka pranuar “të gjitha armët për të cilat ka shpresuar, mirëpo nuk mund të presim më”.
Ai ka thënë muajin e kaluar se shtetit të tij i duhen më shumë armë, përfshirë pajisjet e armatosura, përpara se të nisë kundërofensiva e shumëpritur.
Presidenti ukrainas ka muaj që i kërkon Perëndimit, më shumë ndihmë ushtarake dhe armë.
Rusia tani zotëron territor ukrainas në lindje, jug dhe juglindje të shtetit.
Zelensky ka thënë se Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë sisteme raketore të mbrojtjes, Patriot, të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara, për t’i mbrojtur qytetarët e saj nga sulmet ajrore ruse.
Ai ka thënë se mungesa e mbrojtjes nga sulmet ajrore ruse, nënkupton se “një numër i madh i ushtarëve do të vdesin” në kundërofensivë.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./R.E.L