Komisioni i Ligjeve është mbledhur mëngjesin e ditës së sotme, ku pas konstatimit se nuk kishte asnjë kandidaturë për presidentin e ri në raundin e dytë, është mbyllur duke njoftuar se mbledhja tjetër do të zhvillohet pasi të merret vendimi në Konferencën e Kryetarëve.
Bushka: Në kushtet kur nuk ka kandidatë, raundi i dytë i votimeve quhet i djegur.
Pasdite pritet të mbahet seanca plenare ku pritet të cilësohet si i ezauruar edhe raundi i dytë. Sipas procedurave të parashikuara, Konferenca e Kryetarëve do të përcaktojë mbajtjen e raundit të tretë, i cili është i fundit që kërkon 84 vota për zgjedhjen e presidentit. Në 2 raundet e fundit mjafton një shumicë e thjeshtë prej 71 votash për të zgjedhur të parin e shtetit.
Sjellim në vëmendje se asnjë kandidaturë nuk u zyrtarizua deri në 16:00 të ditës së djeshme, që ishte edhe afati i fundit. Të drejtën e propozimit të emrave për raundin e dytë Partia Socialiste ia la opozitës. Por deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj u tërhoq nga propozimi i emrave, pasi mazhoranca e bëri të qartë se nuk do të firmoste kandidatë të opozitës që duhet t’i gjente vetë 20 deputetët firmëtarë.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla thotë se nëse opozita vijon të mos sjellë kandidatë atëherë mazhoranca në votimin e katërt do t’i japë vendit kreun e ri të shtetit.
“Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit. Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. Nëse opozita dhe në raundin e tretë opozita nuk vendos që të marrë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet presidenti apo presidentja e re e republikës”.