“Të bindur për fitoren, të gjitha votat do të numërohen”
Katër ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka ende një fitues.
Teksa po numërohen votat e fundit, kandidati demokrat Joe Biden ka thelluar diferencën në disa shtete, por ende nuk e ka plotësuar numrin prej 270 votash në Kolegjin Elektoral që i japin mandatin presidencial.
Në Pensilvani, Biden kryeson me mbi 28 mijë vota dhe përfundimi i procesit këtu do t’i siguronte atij votat e mjaftueshme për t’u shpallur fitues.
Një hendek i ngjashëm është edhe në Arizona, ku Biden kryeson me mbi 29 mijë vota. Kandidati demokrat është gjithashtu në krye edhe në Nevada me mbi 22 mijë vota.
Biden është gjithashtu përpara në Georgia me rreth 4400 vota, por zyrtarët atje thanë se do të ketë rinumërim.
Në një fjalim mbrëmjen e së premtes, Biden tha se ai do të fitojë zgjedhjet “me një shumicë të qartë dhe se ishte i vendosur që çdo votë të numërohet”.
Presidenti Trump nuk u shfaq në publik të premten, por paralajmëroi Biden nëpërmjet Twitterit të mos pretendonte fitoren sepse procedurat ligjore “sapo kishin filluar”.