Qeveria e Maqedonisë e ka ftuar zyrtarisht ndërmjetësin për çështjen e emrit Methju Nimetz, që pas zgjedhjeve vendore të vijë në vend me ide të reja për tejkalimin e çështjes së emrit.
“Besoj se deri në fund të nëntorit do të realizohen takimet e para me ndërmjetësin për emrin Methju Nimetz, ndoshta jo me mua, ndoshta jo edhe me ministrin e jashtëm Nikola Dimitrov, por me ekipet negociuese të të dy vendeve të paktën të shohin pozicionet dhe të bëhen hapat e parë më tej për zgjidhjen e këtij problemi”.
Kështu është shprehur kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për Radio Televizionin e Maqedonisë, duke thënë se qeveria maqedonase madje e ka ftuar zyrtarisht Nimetzin pas zgjedhjeve vendore të vijë në vend me ide të reja për tejkalimin e çështjes së emrit.
“Për mua, vjen një periudhë e zgjidhjes së problemeve dhe ne duhet që t’i zgjidhim me mençuri, duke mbrojtur shtetin dhe duke i dhënë Maqedonisë një të ardhme. Ne thamë se do ta zgjidhim këtë çështje së bashku me opozitën dhe të gjithë faktorët kryesorë në vend, presidentin, parlamentin, qeverinë dhe publikun, por në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje, duke mos bllokuar apo vonuar këtë problem”, vuri në dukje Zaev.
Besoj, shton ai, se kemi një moment të mirë, moment i mirë për ecje përpara të rajonit e veçanërisht për ecje përpara të Maqedonisë.
“Duhet ta shfrytëzojmë atë dhe të ndërtojmë miqësi me të gjithë. Mund të jetë vetëm një lehtësim i mirë me politikat e mençura e të zgjuara, për të ecur përpara, sepse mundësia për t’u bashkuar me NATO është një punë e madhe për Maqedoninë. Ajo sjell para për qytetarët, ekonomi të mirë, stabilitet dhe siguri të Maqedonisë dhe të rajonit”, ka thënë Zaev.
Në intervistë, Zaev ka folur edhe për integrimin në BE, fillimin e negociatave me BE dhe situatën në rajon./TetovaPress