Mes valës së të nxehtit që ka përfshirë kontinentin Europian me temperaturë ekstreme dhe thatësirë, Turqia po vijon betejën me flakët vdekjeprurëse.
Zjarret që shpërthyen në të paktën pesë vende të ndryshme në provincën bregdetare të Egjeut, Izmir kanë shkaktuar vdekjen e dy personave, shpërnguljen e dhjetëra mijëra banorëve dhe dëmtimin e rreth 200 banesave.
Dy personat që humbën jetën janë një punonjës i Pyjores dhe një i moshuar që u asfiksua nga tymi.
Autoritetet po e vijojnë betejën nga toka me forcat zjarrfikëse dhe nga ajri me avionët për shuarjen e zjarreve, por temperaturat e larta dhe thatësira i vështirësojnë përpjekjet për neutralizimin e vatrave.
Greqia gjithashtu është në një situatë kritike në disa zona. Autoritetet kanë njoftuar vënien nën kontroll të zjarrit që shpërtheu në Kretë një ditë më pare, por vatra të tjera janë ndezur, megjithatë larg zonave të banuara.
Athina po pret një valë të dytë të të nxehtit, i njohur si fenomeni i kupolës së nxehtësisë, me temperatura që do të rriten mbi 40°C duke filluar nga e diela.
Ministria e Mbrojtjes Civile dhe Krizës Klimatike e vendit vuri në dukje se shumica e pjesëve të vendit ende përballen me një rrezik shumë të lartë të zjarreve në pyje.
Spanja do të vazhdojë gjithashtu të përballet me nxehtësi ekstreme, ndërsa temperaturat do të arrijnë deri në 39°C gjatë fundjavës.
Ndërsa në Itali, temperaturat e larta pritet të zgjasin për 24 orë të tjera, duke arritur në mbi 38°C të ndjekura nga temperatura më të ulëta dhe stuhi që priten gjatë fundjavës.