Qindra zjarrfikës janë duke luftuar me zjarret në Gjermaninë lindore dhe Republikën fqinje Çeke, ndërsa rajonet turistike dhe zonat e banuara janë boshatisur.
Një zjarr gjigant është përhapur me shpejtësi këtë të martë në Brandenburg. Pyjet me pisha të thata shtojnë fuqinë e flakëve ndërsa puna e ekipeve vështirësohet nga prania e municioneve të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.
Shtatë zjarrfikës janë plagosur, ndërsa 300 njerëz nga fshatra të ndryshëm janë evakuuar. Një fermë është djegur dhe disa kafshë kanë ngordhur.
Më në juglindje, forcat zjarrfikësve nga disa vende kanë bashkuar forcat për të luftuar me flakët në Parkun Kombëtar në Çekinë veriore.
Zjarri aty nisi të dielën dhe u vu nën kontroll para se era të aktivizonte sërish vatrat të hënën gjatë natës. Rreth 80 njerëz janë evakuuar nga qyteti kufitar i Hrensko, ku flakët kanë shkatërruar ose dëmtuar disa shtëpi, sipas autoriteteve. Dhjetëra fëmijë gjermanë u larguan nga një kamp veror në anën çeke të kufirit dhe u kthyen në Gjermani. Zona vizitohet nga turistë të shumtë dhe dyshohet se një zjarr i ndezur nga disa prej tyre gjatë fundjavës është shkak i flakëve që tashmë kanë dalë jashtë kontrollit.
Tymi është përhapur deri në 100 kilometra distancë, duke mbuluar dhe kryeqytetin çek, Pragën.
Kryeministri çek Petr Fiala vizitoi zonën dhe e cilësoi situatën tejet serioze, ndërkohë që vendet fqinje i janë përgjigjur thirrjes së qeverisë për ndihmë.
Gjermania, Polonia dhe Sllovakia do të dërgojnë helikopterë ndërsa Italia ofroi avionë specialë Canadair për shuarjen e zjarrit.
Europa është në kërcënimin e zjarreve teksa po përjeton temperaturat ekstrem mbi 40 gradë. Për një javë, katër shtete kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Koordinuese të Reagimit Emergjent në Bruksel. Franca, Italia, Sllovenia dhe Spanja kërkojnë përforcime për të neutralizuar zjarret apokaliptike në pyjet e tyre.