Reagojnë mjekët e Manzës dhe QSUT
Kthehen në tragjedi pushimet në Shqipëri për një familje nga Kosova. Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti ndodheshin me pushime në Gjirin e Lalëzit në Durrës ndërsa humbën jetën si pasojë e një helmimi.
Mësohet se të enjten tre pjesëtarët e familjes nga Gjilani kanë dalë vetë për të mbledhur vetë kërpudha në pyll në një zonë pranë plazhit. Disa orë më pas ata janë paraqitur në qendrën më të afërt shëndetësore në Manëz ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore.
3 anëtarët e familjes Haliti më pas janë larguar për në banesën e tyre në Gjirin e Lalëzit, por pasi gjendja shëndetësore u përkeqësua, janë dërguar në spitalin e Durrësit. Nisur nga situata e rënduar, ata u transportuan drejt QSUT në Tiranë ku mësohet se kanë humbur jetën.
Lidhur me këtë rast janë proceduar dy mjekë të qendrës shëndetësore në Manzë të cilët akuzohen për mjekim të pakujdesshëm. Ndërkohë edhe familjarë të tre viktimave akuzojnë bluzat e bardha për këtë ngjarje.
“Diçka që është shqetësuese për ne dhe e papërballueshme për familjen tonë është neglizhenca, mostrajtimi i duhur në Qendrën Shëndetësore të Manzës. Tre pacientë me shkuar me të njëjtën simptomë dhe me u kthyer në shtëpi me hapa, me barna, besoj se nuk është adekuate, pa analiza, pa ekzaminime mjekësore, pa kurrëfarë përkushtimi me liruar pacientin në atë gjendje. Më duket se është diçka jo e duhur për çdo mjek që i thotë vetes mjek. Kam kontaktuar përmes telefonit me të ndjerin, Afrimin. Më ka treguar që ka qenë në spital. Kanë kaluar vetëm me një serum dhe i kanë liruar. Kanë ardhur në shtëpi me barna. Gjendja ka qenë e rëndë sepse e kam konstatuar sipas të folurit. Nuk ka qenë jo e mirë, jo e duhur, e rrezikshme gjendja që çdo njeri që do kushte parë gjendjen do konstatonte që nuk është çdo gjë në rregull. Mendimi im është që nuk guxon të lirohet pacienti në atë mënyrë dhe sikur të ishte veç një, hajde thotë u krye. Tre pacientë me simptoma të njëjta, kjo është e pakuptueshme”.
Por mjekët në Qendrën Shëndetësore në Manzë i hedhin poshtë akuzat.
“Mjekimi i është bërë. Shërbimi i është bërë nga dy kolegët tanë. Edhe nga informacionet që kam nga kolegët, ata kanë ikur në gjendje të mirë nga spitali”.
Në lidhje me ngjarjen një reagim ka patur edhe nga QSUT, ku thuhet se tre pjesëtarët e familjes Haliti kanë marrë trajtimin sipas protokollit fillimisht në Urgjencë dhe pas përkeqësimit së gjendjes së tyre shëndetësore janë transferuar në shërbimin e reanimacionit, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve kanë ndërruar jetë. Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të vërtetojë shkakun e vdekjes së tre pjesëtarëve të familjes nga Gjilani.
Klan News