30 anëtarë të kryesisë së FRPD kërkojnë referendum për Berishën

Ish-kryeministri nis të enjten takimet me demokratët

Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar liderin historik të demokratëve Sali Berisha ka hasur në kundërshti edhe në Forumin Rinor Demokrat.

30 anëtarë të kryesisë së këtij forumi, përmes një shkrese drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Këshillit Kombëtar kërkojnë mbajtjen e një referendumi, pasi thonë se vendimi i Bashës për të përjashtuar Berishën është në shkelje të statutit.

Në kërkesën që mban edhe firmën e Glauk Olldashit, djalit të Sokol Olldashit, anëtarët e kryesisë së FRPD-së thonë se vendimmarrja e Lulzim Bashës rrezikon përçarjen e thellë dhe të parikuperueshme të Partisë Demokratike.

“Në qoftë se ky votim shkon në bazë dhe votohet pro qëndrimit të zotit Berisha atëherë duhet të qëndrojë. Nëse ky vendim rrëzohet atëherë zoti Berisha duhet të largohet”.

Në kundërpërgjigje, kreu i këtij forumi, deputeti Belind Këlliçi i cili nuk ka hedhur firmën e tij në këtë kërkesë, përjashtoi mundësinë e një përçarje dhe u shpreh se ky moment duhet të shërbejë për më shumë maturi në radhët e demokratëve.

“Ju e keni parë që letra nuk është e firmosur nga unë dhe unë jam i lumtur që sot PD prodhon debat, prodhon diskutim të brendshëm. E gjitha kjo ma besoni, për forcimin e PD. Nuk ka një përçarje, ka mendim ndryshe.”

Pak orë pas kësaj lëvizjeje të FRPD-së, edhe Sali Berisha nuk vonoi të bëjë publik në rrjetet sociale nisjen e turit të tij të takimeve me demokratët. Përmes një postimi në rrjetin e tij Facebook, Berisha shkruan se takimet do të nisin në orën 18:00 të pasdites ditën e enjte, duke e pagëzuar këtë tur si cikli i foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë e më të hapur.

Foltorja shkruan ai do të jetë një bashkëbisedim me demokratë dhe demokrate që nis në Tiranë dhe do udhëtojë në mbarë vendin. Televizioni Klan ka mësuar se takimin e parë, Berisha do ta ketë me anëtarë të PD-së të degës 1, 2 e 3. Krah tij pritet të jenë deputetë që e kanë kundërshtuar vendimin e kryetarit Basha, si dhe figura të larguara nga radhët e demokratëve.

 

Leave a Reply