Qytetarët në Tiranë dhe rrethe janë ndeshur shpesh me njerëz, që prezantohen si vullnetarë e që kërkojnë para për të ndihmuar njerëz në nevojë.
Agim Hajdari, që ka një shoqatë të tillë, tregon mekanizmin e mbledhjes së të hollave dhe përfitimet. Po kështu një grup vajzash, që jetojnë me para të fituara në këtë mënyrë.
Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” shfaq me zë e figurë se si një grup vajzash punësojnë persona, rroga e të cilëve përfitohet nga paratë e ndihmave.
Qytetarja – Po, tani më thuaj?
Organizatorja – Atëherë, siç i sheh edhe këto kutitë, ne dalim me këto.
Qytetarja – Po. Nisma vullnetare në ndihmë të familjeve. Po.
Organizatorja – Ne dalim me këto, e zemë unë me ty, kupton? Ndahemi domethënë bëhemi çift dhe shkojmë nëpër rrethe. Për shembull shkojmë në Vlorë, shkojmë 5 grupe e zemë, dyshe dyshe, kupton? Edhe na çojnë këta me makinë.
Qytetarja – Po.
Organizatorja – Orari fillon nga ora 10 në mëngjes, ndonjëherë ndodh që mund të vish herët këtu, se mund të shkosh nëpër rrethe në Shkodër, e kupton? Do fillosh atje në orën 10 me 2, katër orët e para. Pastaj dy orë i ke pushim, që mund të hash ndonjë gjë dhe ke 4 mijë lekëshin, plus 10 mijë lekë (të vjetra), që i thonë 300 mijë lekë (të vjetra), nëse ti shkon nëpër rrethe. Plus që do hash ndonjë gjë e do pish ndonjë gjë me 4 mijë lekëshin tënd.
Qytetarja – E kuptoj. Si punë diete.
Organizatorja – Po, si punë diete. Ndërsa 10 mijë lekë (të vjetra) i fut në xhep, që i bie domethënë 300 (mijë lekë të vjetra) në muaj, nëse ti vjen përditë paradite – mbasdite.
Organizatorja – Kjo ishte. Ti do thuash vetëm kaq, do marrësh kutinë dhe do përshëndesësh njerëzit. Edhe do t’ju thuash: “Përshëndetje! Si kaluat? Më falni për shqetësimin”, kur jemi në plazh flas. Kur jemi në plazh, do t’ju thuash: “Më falni, që ju shqetësoj. Ne jemi nisma vullnetare në ndihmë të familjeve në nevojë dhe fëmijëve me sindromën Down dhe autik. Keni dëshirë të kontribuoni sadopak?”
Qytetarja – Po ku korrespondon kjo domethënë? Se në qoftë se, një person bën një pyetje, ku shkojnë këto lekë, e ke parasysh?
Organizatorja – Këto lekë shkojnë, ke shumë të drejtë, sepse normale.
Qytetarja – Duhet të dish t’ju kthesh (përgjigje)…
Organizatorja – Ty do të pyesin në rrugë, po jo se unë nuk kam besim se ku shkojnë këto lekë. Këto lekë shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë, jemi nga shoqata rinore do thuash. Jemi mbledhur një grup rinor dhe ne jemi vullnetarë, domethënë nuk marrim lekë për vete, e kupton? Sepse kështu do t’jua shpjegosh, se thonë këta i marrin lekët për vete.
Qytetarja – Kjo është ndonjë shoqatë?
Organizatorja – Jo, akoma nuk jemi bërë shoqatë.
Qytetarja – Jeni thjesht të rinj?
Organizatorja – Po, jemi thjesht të rinj që po grumbullojmë lekë dhe po ndihmojmë të varfërit. Kupton? Edhe ty, ka raste, që do të pyesi ndonjë, po ne nuk kemi besim, jo këtej jo andej. Atëherë, ti i tregon, domethënë është një bexhë, kemi bexhën. I thua që përfaqëson, që ti të më besosh mua e para dhe e dyta do i tregosh nenin dhe do t’i tregosh: Ky është neni, që mund ta bëjë çdo njeri, ka të drejtë të futet në këtë punë, çdo njeri. Kupton?
Qytetarja – Po pjesën e pagave tona? Ne mbajmë pagat nga kontributet?
Organizatorja – Po nga kontributet. Domethënë, kur të vish këtu ti në darkë, që mbaron turnin, përshembull në darkë, të jep 10 mijë lekëshin ai çuni.
Qytetarja – Nga ato që ke mbledhur?
Organizatorja – Po, por njerëzit kur të pyesin, se thonë po juve i mbani lekët për vete, ti do i thuash: “Jo, unë jam vullnetare.”
Qytetarja – Po pjesën e siguracioneve? Apo është pa siguracione?
Organizatorja – Nuk ka siguracione.
Qytetarja – Zakonisht kontribuojnë shumë?
Organizatorja – Po! Për shembull, kur kam ardhur për herë të parë këtu në punë, që i bie para dy muajsh, kam bërë 70 mijë lekë (të vjetra) turnin e parë, për katër orë, ose 80 mijë lekë (të vjetra), kam bërë edhe turnin e dytë prapë 60 mijë lekë (te vjetra).
Por çfarë ndodhi kur kjo qytetare u punësua?
1/Punonjësja – Vajza, përshëndetje! Më falni pak?
Qytetarja – Po.
Punonjësja – Jemi një nismë vullnetare, në ndihmë të familjeve në nevojë. Në qoftë se keni mundësi të kontribuoni sadopak…
Qytetarja – Unë jam pa portofol sot.
Punonjësja – Mirë, faleminderit!
2/Punjonjësja – Goca, përshëndetje!
Qytetarja – S’kam kohë.
Punonjësja – Mirë, faleminderit.
3/Punonjësja – Më falni që po ju shqetësoj. Jemi një nismë vullnetare, në ndihmë të familjeve në nevojë. Në qoftë se keni mundësi të kontribuoni sadopak? Me aq mundësi sa keni? Ju falenderoj! Po mund ta lini këtu, keni kutinë.
4/Punonjësja – Mund t’ju them diçka. Jemi një nismë vullnetare në ndihmë të familjeve në nevojë.
Qytetari – E di, e di, se 100 herë më keni ndaluar.
Punonjësja përfundoi me sukses turnin e parë prej 4 orësh, nga ku mblodhi 50 mijë lekë (të vjetra). Jo keq si fillim, apo jo?
Agim Hajdari është në krye të një shoqate fitimprurëse, i cili shpjegon se si funksionon mbledhja e parave dhe përfitimin që ka.
Agimi – Kemi edhe biznese të tjera, po kemi dhe një biznes. Dhe ndërmjet tyre kemi dhe tip shoqate, është fitimprurëse. A më kupton?
Qytetarja – Si fitimprurëse, se nuk e kuptoj?
Agimi – Fitimprurëse domethënë që ne i paguajmë njerëzit (punonjësit).
Qytetarja – Nuk është vullnetare?
Agimi – Jo jo, s’është vullnetare, është me lekë.
Qytetarja – Është me pagë?
Agimi – Me pagë. Konsiston kështu… shoqata qendrën e ka këtu. Punon, ai që punon direkt në terren merr 15 mijë lekë (të vjetra) në ditë. Shkojmë me makinat tona ktheheni me makinat tona. A më kupton?
Qytetarja – Ne do dalim në terren. Çfarë do bëjmë konkretisht?
Agimi – Ne kemi piketuar fëmijët që do shërojmë.
Qytetarja – Si piketuar? I keni zgjedhur?
Agimi – Po. I kemi zgjedhur, i kemi piketuar me anën e organeve të pushtetit vendor.
Qytetarja – Pse këto fëmijët, që do shërojmë ne, që…
Agimi – I kemi piketuar me fotografi, me numër llogarie, me të gjitha. Ku të gjejë më lirë (spital më të lirë), ky është fitimi im. Unë e dua në Tiranë me thënë të drejtën, se të shkoj nëpër rrethe kot, ato lekë lart e poshtë. Se unë kam bilance, kam mbledh kaq lekë, edhe do bëj dalje kaq lekë. A më kupton? Prandaj e kam bërë fitimprurëse, të jem në rregull me shtetin.
Qytetarja – E keni të regjistruar?
Agimi – Po , po me NIPT e me të gjitha.
Qytetarja – Po si e ka (emrin)?
Agimi – NIHL- 1 .
Qytetarja – Ne çfarë do t’ju themi njerëzve?
Agimi – Hiç, ne jemi shoqata filan, urdhëro numrin, jam filania. Punojmë për x fëmijë. Nqs dëshiron hidhi! Nëse nuk dëshiron, hidhi në numër të llogarisë, ja ku e ke.
Qytetarja – Do kemi ndonjë kuti ne?
Agimi – Patjetër. Kuti të vogël, kaq. Unë i kam bërë të vogla, që mos jenë shumë të mëdhaja.
Qytetarja – Po, që është e sigurtë, që këto lekë shkojnë për ndihmë? Që edhe ne të paktën, kur t’jua themi robve….
Agimi – Unë heq gjithë shpenzimet tuaja, makina, a më kupton? Pjesën e tatimit ma heq shteti. Ça ngelet fitoj.
Qytetarja – Sa mund të shkojë rroga për shembull?
Agimi – Këtu rroga, po punove 30 ditë, të shkon 350 mijë lekë (të vjetra).
Qytetarja – 30 ditë. Ideja është këtu, që a ia del që të na paguash edhe neve edhe të mbledhim për ata kalamajtë.
Agimi – Unë të thashë, dy muaj kam.
Qytetarja – Keni ndihmuar ndonjë?
Agimi – Kemi filluar ne.
Qytetarja – Keni mbaruar ndonjë të paktën?
Agimi – Jo mo, nuk mbaron për dy muaj, do lekë shumë.
Punonjësja – Ne jemi edhe 3-4 grupe nga 100 (mijë lekë të vjetra).
Qytetarja – 300- 400 (mijë lekë të vjetra).
Punonjësja – Po!
Menaxheri – Kjo është vajza, që ne e kemi me fotografi.
Qytetarja – Kjo goca.
Menaxheri – Kjo vajza është dy vjeçe. Quhet Kledja Dervishi, është e lindur dhe banuese në fshatin Katier të Përrenjasit dhe ka nevojë për një operacion jashtë vendit. Kjo është kutia kontribuuese.
Agimi – Kjo duhet të vijë me vulë.
Menaxheri – Duhet të kapësh 100 mijë lekë (të vjetra). E kape 100-çen, e kapi dhe tjetri, futemi në makinë, nisemi e vijmë në Tiranë.
Pra, mund të themi që po krijohen vende të reja pune, mjafton të kesh dëshirë për të punuar (fituar) dhe mund të gjesh opsione nga më të ndryshme… /tvklan.al/