Raporti i senatorit zviceran Dick Marty, për Këshillin e Evropës i ka kushtuar Kosovës shumë. Pretendimet e tij për krime lufte dhe tregti me organe e zbehën imazhin e saj.
Kjo e shtyu Kuvendin që në emër të Kosovës të mbështesë krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së.
Por tani pikëpyetja më e madhe ngelet se kush do të jenë të akuzuarit dhe sa do ta prekë e kaluara skenën e tashme politike të Kosovës, e cila prej kohësh pret emrat e të akuzuarve.
Shumë aktakuza mund të jenë të dhimbshme. Bekim Blakaj merret me dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës. Shumë krime janë përmendur, por aktakuzat e para ai i pret në vjeshtë.
“Sigurisht, ato duhet të jenë të bazuara në pretendimet në raportin e Dick Marty, por konkretisht për incidente të caktuara nuk besoj që dikush në Kosovë të ketë informata”, thotë Blakaj.
Beogradi UÇK-në ende e konsideron si organizatë teroriste dhe shpesh herë ka dhënë alarmim për krimet e shqiptarëve. Nga ana tjetër, shumë shqiptarë nga Kosova presin një kërkim falje nga Serbia.
Milovan Dreçun, deputet në Kuvendin e Serbisë, thotë se Beogradi do t’i mbajë edhe aktakuzat serbe. Por nëse ato gjykohen në Hagë do të heq dorë.
“Nuk ka pajtim pa u gjykuar të gjitha krimet e luftës, përfshirë ato të UÇK-së terroriste, sikurse janë gjykuar edhe individë nga organet e sigurisë serbe që kanë kryer krime”, thotë Dreçun.
Gjatë luftës së Kosovës, sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, janë vrarë rreth 13.517 persona, prej të cilëve 10.415 shqiptarë, 2.197 serbë, 528 romë, boshnjakë dhe të tjerë.
Fati i 1.658 personave ende nuk dihet. Shumë viktima u transferuan në Serbi dhe ende nuk është pranuar nga palët as numri i saktë i viktimave.