Asnjë nga ligjet e vendit nuk i amniston bashkëpjesëmarrësit në një krim, sikundër nuk i amniston as ata që e fshehin kriminelin, madje aq më pakë ata që e përkrahin kriminelin. Nuk mund të ketë justifikime “nuk e kemi ditur”, sepse, asnjë nga bashkëpunëtorë apo udhëheqës të organeve nën varshmëri të “sulltanit” nuk kanë kërkuar procedurë hetimore kundër një dukurie me qëllim të zbardhjes së saj
Shkruan Skënder Nazifi
Ka dy-tre vite që jemi dëshmitarë të një sërë shkrimesh përmes të cilave po zbardhen një grumbull problemesh brenda BFI-së, të cilat shpërthyen që kur doli jasht këtij Institucioni ish-sekretari i përgjithshëm i BFI-së, Afrim ef. Tahiri. Çka po dëshmon ky seri shkrimesh kaq i gjatë dhe i mbështetur me qindar fakte e argumente prej atyre banaleve e deri te ato më rrënqethëset?
Këto ditë u publikua një shkrim që fliste lidhur me mundësinë e përgjegjësisë penale të Sulejman Rexhepit për shkak të falsifikimit të zgjedhjes së tij në krye të BFI-së? Kjo zbardhë një dilemë tjetër të kahershme, e cila shpërtheu që kur shpërthyen publikimet e shumë aferave në media e që i përkasin BFI-së! Dilema ishte se pse ky njeri i falsifikuar në postin e vet, gjenë përkrahje nga bashkëpunëtorët si dhe nga organet e BFI-së, qofshin këta myfti apo edhe drejtues të organeve të tjera të BFI-së!
Nga këta bashkëpunëtorë, disa janë akuzuar si kriminelë, disa si narkomanë, disa si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete, disa si hajna e vjedhës klasikë, disa si element nepotizmi e disa si pastrues të parave të pista! Të gjithë këta kanë marrur apo rimarrur një mandat nga i vetëshpalluri Reisul Ulema i BFI-së, Sulejman Rexhepi!
Nëse një ditë do të nisej ndonjë procedurë gjyqësore kundër tyre, pa dyshim që kjo do të ishte turpi më i madh për BFI-në, sepse që të gjithë do të përfundonin si më keq. Pavarësisht kësaj, këta bashkëpunëtorë vështirë se do t’i shpëtojnë proceseve gjyqësore, natyrisht, pasi të vërtetohen të gjitha akuzat tashmë të përfolura kundër Sulejman Rexhepit. Pse?
Asnjë nga ligjet e vendit nuk i amniston bashkëpjesëmarrësit në një krim, sikundër nuk i amniston as ata që e fshehin kriminelin, madje aq më pakë ata që e përkrahin kriminelin. Nuk mund të ketë justifikime “nuk e kemi ditur”, sepse, asnjë nga këta bashkëpunëtorë apo udhëheqës të organeve nën varshmëri të “sulltanit” nuk kanë kërkuar procedurë hetimore kundër një dukurie me qëllim të zbardhjes së saj.
Brenda BFI-së është gjuajtur me armë zjarri dhe, normalisht, do të duhej të ngritej procedurë gjyqësore prej konfiskimit të armës e deri në burgosje të personit i cili gjatë gjuajtjes në hapësirat e zyreve ka mundur të vrasë ndonjë person! Arma është konfiskuar ndërsa gjuajtësi është shpallur dhe përkrahur si hero!
Kryetari i Kuvendit të BFI-së duhet të dëshmojë se a ka zhvilluar seanca për themelim të komisioneve zgjedhore, a ka miratuar ky Kuvend rregullore për zgjedhje të reisit të përjetshëm, a ka zhvilluar dhe a ka miratur procesverbale. Nëse po, atëherë situata është shumë e lehtë – të gjitha vendimet dhe zgjedhjet do të jenë të ligjshme. Por, nëse jo, atëherë, të gjitha vendimet dhe zgjedhjet, të gjitha punësimet dhe emërimet do të jenë jo të ligjshme dhe dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto shkelje kaq drastike të parimeve, rregullave, ligjeve. Një nga shkelësit më të mëdhenj të këtyre procedurave juridike pa dyshim që do të jetë Kryetari i Kuvendit të BFI-së, i cili edhe mund të viktimizohet nga ana e Sulejman Rexhepit në raste të procedurave gjyqësore. Ky viktimizim do të ishte fare i natyrshëm për natyrën e njeriut tashmë të stërvitur me shfajësim të vetëvetes, ndonëse kësaj radhe shpëtimi i vetëvetes do të jetë jashtëzakonisht i vështirë, siç do të jetë i vështirë edhe shpëtimi i atyreve që në të gjitha këtyre aferave e veprimeve kriminale i kanë dhënë përkrahje dhe legjimitet udhëheqësit të tyre ilegjitim.
Nga kjo situatë në të cilën janë future të gjithë organet dhe bashkëpunëtorët e Sulejman Rexhepit nuk mund të dilet duke i “bluar dokumentet”, duke e shkatërruar arkivin apo duke i falcifikuar dokumentet që nga statutet, procesverbalet, rregulloret e deri te nenet e Kushtetutës së BFI-së. Nga kjo situatë dilet vetëm duke u ndërgjegjësuar dhe duke ngritur iniciativa për ta shpëtuar BFI-në shekullore nga këto kthetra të pista që tashmë po zhvasin së brendshmi deri në shkatërrim të të vetmit institucion fetar islam në vend. Njerëzit normal, teologët e devotshëm assesi nuk do të guxonin të beheshin pjesë e historisë së zymtë të këtij Institucioni, nuk do të duhej të solidarizoheshin me shkatërruesit e këtij Institucioni dhe nuk do të duhej të mbaheshin në mend si shkaktarë të privatizimit të këtij Institucioni nga ana e Mulla Sulës, vetëm për faktin që me këtë njeri mund t’i mbajnë pozicionet e veta dhe t’i shfrytëzojnë ato të mira që i ofrojnë këto pozicione.
Pikërisht kjo logjikë e përciptë e vetëkënaqësisë duke qernë në krye të një organi i cili kontrollohet dhe dirigjohet ekskluzivisht prej uzurpatorit të BFI-së, një ditë do t’i bëjë të ndjehen fajtor për bashkëveprim në krim, korrupsion, zhvatje dhe shkatërrim. Mulla Sula do të gjykohet për veprat e tij penale, ndërsa përkrahësit dhe bashkëpunëtorët e tij do të gjykohen për heshtje të këtij krimi dhe për legjitimim të këtyre veprimeve të “boos”-it të vet. Natyrisht, kur i vjen fundi “boos”-it, bashkë me të përfundojnë në biruc edhe bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët e tij.