Kandidati i djathtë për Tiranën, Halim Kosova ka zhvilluar pasditen e së premtes një takim me studentët, të cilët i ka njohur me planet e tij për arsimin nëse zgjidhet në krye të bashkisë.
Në fjalën e tij, pasi ka premtuar qëndrimin larg fjalëve dhe më shumë fokus tek puna, zoti Kosova ka shpalosur idetë e tij për sa më shumë hapësira për studentët.
“Ne do të investojmë për rikonstruksionin e shkollave dhe sidomos do të punojmë për kampusin universitar. Pas 21 qershorit do të vazhdoj menjëherë negociatat me rektorin e Universitatit të Tiranës. Ne do të krijojmë hapësira për studentët, ku ata të mund të marrin ambjente me qera zero, ku të prezantojnë projektet e tyre. Do të bëhet një kompleks shumë i bukur në ndihmë të studentëve dhe qytetit të Tiranës”, ka thënë Kosova.
Më tej Kosova ka premtuar një mbështetje financiare më të madhe për studentët që pas diplomimit mund të hapin biznese.
“Bashkia e Tiranës do t’u ofrojë garancinë bankave që ju të mund të merrni kredi. Ndërkohë, fondin prej 5.2 milionë dollarësh në mbështetje të studentëve që hapin biznese, ne kemi planifikuar që në 3 vitet e ardhshme ta çojmë në 15 milionë euro”, ka thënë Kosova.