Nga Enver Robelli /
Në Washington dhe në Bruksel nuk duhet të priten më politikanët e korruptuar të Ballkanit. Kështu tha këto ditë diplomati amerikan Hoyt Brian Yee. Por në librin e korrupsionit në Ballkan Amerika e ka shkruar një kapitull të madh. A do të mbyllet ky kapitull?.
Hoyt Brian Yee është një diplomat amerikan i karrierës dhe me përvojë të madhe. Në Ministrinë e Jashtme amerikane ai tani është përgjegjës për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, andaj e shohim shpesh në rajon. Në Shkup ai arriti ta përzë nga pushteti diktatorin e vogël prorus Nikolla Gruevski, në Beograd para disa ditësh Hoyt Brian Yee i tha presidentit serb se vendi i tij duhet të vendosë në cilën karrige do të ulet: në atë të BE-së apo në atë të Rusisë? Në Tiranë Hoyt Brian Yee mbështet ambasadorin Donald Lu, i cili po zhvillon një betejë fisnike për reformimin e drejtësisë dhe kundër korrupsionit në Shqipëri. Kur vjen në Kosovë Hoyt Brian Yee i përmend detyrat e shtëpisë që kanë politikanët.
Para se të emërohej në postin e rëndësishëm në Departamentin e Shtetit, siç quhet Ministria e Jashtme amerikane, Hoyt Brian Yee ishte zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Zagreb. Ai ka shërbyer në Kabul, në Selanik (si konsull i përgjithshëm), në Mal të Zi (si oficer për ndërlidhje, mes viteve 2002-2005, kur Mali i Zi ende nuk ishte i pavarur). Hoyt Brian Yee ka punuar edhe në Haiti dhe në Paris. Për opinionin shqiptar me rëndësi është edhe kjo informatë: mes viteve 1996-1999 Hoyt Brian Yee ka shërbyer në selinë e NATO-s si zëvendësdrejtor i Zyrës private të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana.
Pra, ka 20 vjet që Hoyt Brian Yee merret me Ballkanin, herë nga afër, herë nga larg. Pas 20 vjetësh duket se ky diplomat amerikan e ka humbur durimin. Në një debat të organizuar në Washington javën që shkoi ai tha: «Është për të ardhur turp se si udhëheqës politikë të Ballkanit, pavarësisht nga akte të dënueshme, mirëpriten në shumë kryeqytete evropiane, sikur aktet e tyre nuk përbëjnë asgjë të keqe. Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Washington, ata nxjerrin përfundime. Nëse këta udhëheqës nuk lejohen në takime dhe qarqe të caktuara dhe bëhen të qarta arsyet përse, kjo do të kishte një ndikim pozitiv në zhvillimet e këtyre vendeve».
Kur lexon njeriu këso deklaratash, menjëherë të shfaqen disa imazhe interesante. Për shembull: ajo skena kur një nënpresident babaxhan (apo cinik?) amerikan e krahasonte një lider të Kosovës me themeluesin e Amerikës, George Washingtonin. Pastaj George Washingtoni i Kosovës i thoshte një jarani të tij në telefon: «Nesër kam me taku Hillarinë. Kanë me plasë». Skena tjetër: personazhi kryesor i «Aferës Pronto» ftohet në «Lutjet e Mëngjesit» në Washington. Pastaj e lexon zotin diplomat nga Amerika, i cili thotë: «Kur qytetet e këtyre vendeve i shohin udhëheqësit e tyre në takime të nivelit të lartë në Evropë dhe Washington, ata nxjerrin përfundime». Në të vërtetë shumë njerëz në Ballkan tashmë kanë nxjerrë përfundime dhe bilanci nuk është pozitiv, sepse gjatë gjithë këtyre viteve kanë qenë pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që i kanë ledhatuar politikanët që dyshohet të jenë të korruptuar apo keqpërdorues të pushtetit, kanë bashkëpunuar me ta, i kanë lartësuar dhe ua kanë hapur gati të gjitha dyert në Washington. Nganjëherë këta politikanë dyert i kanë hapur edhe me qindra e mijëra dollarë që ua kanë paguar firmave lobuese.
Pak a shumë njëjtë ka vepruar edhe BE-ja dhe shtetet kryesore të saj. Kështu, me këtë aleancë me politikanë tejet të dyshimtë, SHBA-të dhe BE-ja kanë mbytur shumë shpresa për ndryshime në Ballkan. Në librin e korrupsionit në Ballkan Amerika e ka shkruar një kapitull të madh, voluminoz.
Kërkesat e qarta të Hoyt Brian Yee për të luftuar korrupsionin në rajon gjithsesi do të mirëpriten nga njerëzit që ende besojnë se ardhmëria e vendeve të tyre është brenda BE-së. Por, përvoja i ka mësuar njerëzit të mos kenë pritje të mëdha, madje të jenë edhe të dëshpëruar nga performanca e disa diplomatëve perëndimorë, për shembull, në Kosovë. Pasi erdhi në Kosovë si ambasador i SHBA-së, Christopher Dell, më 15 janar 2010 mbajti një fjalim, ku, mes tjerash, tha: «Figurat e krimit të organizuar dhe politikanët e korruptuar nuk duhet të lejohen të mbajnë përfitimet e tyre të jashtëligjshme. (…) Korrupsioni, dhuna dhe keqpërdorimet kalojnë pa u ndëshkuar. Të dobëtit janë pa një mjet efektiv veprimi, gjersa të fuqishmit manipulojnë ligjet dhe njerëzit për të mbajtur pushtetin dhe për të akumuluar pasurinë». Pastaj gati tërë mandatin Dell e kaloi duke ia mbajtur anën hapur një strukture të korruptuar dhe kriminalizuar dhe të njohur me siglën PDK. Në fund shkoi të punojë në një firmë ndërtimore amerikane, e cila sa ishte ai ambasador fitoi tenderin për ndërtimin e autostradës mes periferisë së Prizrenit dhe periferisë së Malishevës. As sot e kësaj dite askush nuk e ka parë këtë kontratë. A u dogjën 500 apo 999 milionë euro nga buxheti i Kosovës? Askush nuk e di. Ose: e dinë vetëm ata që i kanë menaxhuar këto para.
Në vend se të denoncojnë politikanët e korruptuar, diplomatët amerikanë në Prishtinë nisën ta akuzojnë tërë popullin për korrupsion. Dell në fund të mandatit tha: «Korrupsioni tolerohet nga e tërë shoqëria kosovare. (…) Partitë, siç shpresohet të ndodhë në demokraci, janë pasqyrim i vetë shoqërisë. Prandaj, unë mendoj se të gjitha partitë janë të përfshira në këtë problem në shkallë të ndryshme. (…) Mendoj se ky është problem me tërë shoqërinë; ky problem ngërthen shumë individë të ndryshëm në partitë politike, e jo doemos udhëheqësit. (…) Së pari, shoqëria duhet ta marrë përsipër të ndryshojë sjelljen e vet në çdo nivel: prej udhëheqjes e deri te qytetari i rëndomtë. E dyta, qytetarët duhet ta përdorin fuqinë e tyre nëpërmjet votës për ndryshim; ta përdorin atë votë për t’u marrë me problemin e korrupsionit. Kështu do të duhej të funksiononte kjo gjë në demokraci».
Domethënë: e korruptuar është shoqëria, jo doemos liderët, sipas Dellit. Kjo deklaratë është aq serioze sa thënia se për zgjedhjen e Donald Trumpit president janë fajtorë të gjithë amerikanët. Në mënyrë shumë kreative e shikonte korrupsionin edhe ambasadorja Tracey Ann Jacobson. Ajo në nëntor 2014 thoshte: «Çështja e korrupsionit nuk mund t’i atribuohet vetëm një partie. Për shembull kemi Fatmir Limajn nga Nisma që me sa e di ka dy akuza për korrupsion, pastaj Lëvizja Vetëvendosje ka ngritur diku rreth 70 akuza për korrupsion kundër LDK-së në pushtetin lokal – Prishtinë… Do të thotë se Kosova ka njëfarë tradite të politikanëve të korruptuar». Klani «Pronto», partitë e haraçmbledhësve, rrjetet oligarkike ambasadorja nuk i përmendte fare.
Pas fjalimit të Hoyt Brian Yee a thua do të mbyllet ky kapitull? Thonë: shpresa vdes e fundit.