Ish drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Mitko Çavkov dhe operisti Igor Durlovski mbeten në Shutkë. Apeli hodhi poshtë ankesat e tyre dhe nuk pranoi anulimin e masës së paraburgimit ose zëvendësimin e saj me masë më të butë. Përveç këtyre të fundit, Gjykata e Apelit refuzoi edhe ankesat e kryeshefit në Drejtorinë e gjashtë të MPB-së, Oliver Popovski, shefit të sigurimit të ish kryeparlamentarit Trajko Veljanoski, Goran Gjoshevski si dhe të Munir Pepiq, Dushko Lazarov, Mitko Peshov, Oliver Radulov dhe Ilija Slavevski. Në burgun hetues në Shutkë, mbetet edhe Bodan Ilievski, i njohur si “Betmen Velit”. Apeli nuk e pranoi ankesën e tij. Ndonëse prokuroria e Lartë kërkoi, Apeli t’ia anulojë paraburgimin aktorit Vlado Jovanovski, edhe ky i fundit mbetet në burgun hetues të Shutkës. Propozimin për masë më të butë, nuk e pranuan gjykatësit.
Gjykatësit e Apelit duhet të marrin vendim edhe lidhur me ankesën e deputetët të VMRO DPMNE-së, Sasho Vasilevski. Ndonëse sot nga Gjykata kanë kërkuar që nga burgu i Shutkës ta sjellin deputetin në seancë publike, ai ka refuzuar. Në emër të tij para gjykatësve, anulim të paraburgimit kërkoi avokati i tij Aleksandar Novakovski. Ai tha se gjykatësit e Apelit kanë mundësinë për të përmirësuar padrejtësinë që i është bërë Vasilevskit me heqjen e paligjshme të imunitetit të tij të deputetit në Kuvend. Nga ana tjetër, prokuroria e Lartë kërkoi që Sasho Vasilevski të mbetet në paraburgim, për shkak të frikës se do të arratiset si dhe mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët, por edhe në hetimin që ende nuk ka përfunduar. /Alsat-M/