Besimi i rritur tek ekonomia shqiptare ka shtyrë konsorciumin që po ndërton gazsjellësin TAP që të miratojnë një numër investimesh të reja shtesë në vendin tonë.
Lajmin e mirë e jep portali më i madh i lajmeve azere në anglisht, “AzerNews”.
Sipas kësaj faqeje, “TAP” ka vendosur që të ndërtojë edhe një numër qendrash kompresimi, të cilat do të shërbejnë si qendra të mëdha magazinimi të gazit të Detit Kaspik në vendin tonë.
Këto qendra do të rrisin ndjeshëm potencialin e Shqipërisë për të importuar dhe eksportuar gaz, si dhe do të lehtësojnë zhvillimin e projektit të gazifikimit të vendit në një të ardhme të afërt.
Gazsjellësi TAP është një investim prej 5 miliardë eurosh, që do të transportojë gazin e Kaspikut në Bashkimin Europian përmes territorit turk, grek dhe shqiptar.
Sipas parashikimeve të Universitetit të Oksfordit, ai do të jetë në gjendje të përshpejtojë rritjen ekonomike të Shqipërisë me 1%, përgjatë 10 viteve që pasojnë vënien në punë të gazsjellësit.
Gjithashtu, TAP do të gjenerojë disa mijëra vende pune në Shqipëri./Lexo.al