Në ditën më të rëndësishme dhe më kritike në vitet e fundit, kur ndoshta do të vendoset nëse Greqia do të mbetet pjesë e Eurozonës, grekët kanë gjetur përsëri bankat e mbyllura, ndërsa vendimi i BQE-së të mos japë ende likuiditet tek institucionet financiare greke është pritur me pakënaqësi nga Athina.
Duke kaluar në rrjetën e Eurogrupit pak pas mesditës dhe më pas në tryezën e samitit të lartë të liderëve të Eurozonës, propozimi i ri që sjell Tsipras në Bruksel, një variant i përmirësuar i reformave që vetë Jean-Clode Junker u kishte dhënë grekëve, por që ata nuk e kishin pranuar, është shpresa e fundit.
Merkel dhe Hollande, pas takimit të tyre të hënën në mbrëmje në Paris, i kanë çuar ultimatum kryeministrit Tsipras duke i kërkuar të sjellë reforma të qarta, serioze dhe të besueshme.
“Ne i kemi kushtuar vëmendje rezultatit të votimit dhe ne e respektojmë referendumin e Greqisë. Dera mbetet e hapur për diskutime. Është në dorën e qeverisë së Aleksis Tsipras për të sjelle propozime serioze, të besueshme në mënyrë që dëshira për të qëndruar në Eurozonë mund të realizohet”, tha Francois Hollande.
Por, klima që mbizotëron te partnerët e Greqisë, sidomos pas referendumit, nuk është në favor të grekëve. Huadhënësit vlerësojnë se programi i reformave duhet të jetë akoma më i ashpër, ndërsa në tryezë janë hedhur edhe skenarët për një monedhë paralele që do të ishte hapi i parë i daljes nga Eurozona si dhe për një falimentim të kontrolluar.
Më skepticistët propozojnë edhe një program-urë 2-vjeçar për të parë se si grekët do të angazhohen në zbatimin e reformave, ndërsa të shumtë janë edhe ata që tashmë diskutojnë vetëm për një ndihmë humanitare duke konsideruar falimentimin të pashmangshëm.
E veçanta e samitit të sotëm është fakti që për herë të parë FMN-ja nuk do të përfaqësohet duke dhënë mesazhin tek BE-ja dhe Athina se nuk do të përzihet më në çështjen greke, nëse nuk arrihet nënshkrimi i një pakete të tretë ndihme.
Përsa i përket çështjes së borxhit, grekët kërkojnë ristrukturim të tij. Në një intervistë për BBC ministri i Ekonomisë ka deklaruar se ky reduktim duhet të shkojë në 30%.
Paketa e ndihmës që Greqia kërkon fillon nga 29 miliardë euro, por vlerësohet se do të duhen akoma më shumë kapitale që të mbulohen boshllëqet financiare deri në fund të vitit 2017. Një shumë kolosale që vështirë se mund të jepet nëse nuk pranohen përsëri reforma të ashpra.