Zëvendësndihmës sekretari amerikan, Matthew Palmer, javën e kaluar, kur qëndroi në Prishtinë, i ka bërë bashkë në një vend liderët e partive shqiptare. Sipas njërit prej pjesëmarrësve në këtë takim, zyrtari i lartë amerikan i ka këshilluar liderët që të bëhen bashkë, në të kundërtën pozicioni i Serbisë do të jetë më i mirë në tryezën e dialogut, për aq kohë sa Kosova nuk ka unitet të brendshëm politik.
Përveç takimeve me liderë institucionalë që u kumtuan për media, zyrtari i lartë amerikan, i cili qëndroi javën e kaluar në Prishtinë, bëri bashkë të gjitha partitë.
Zëvendësndihmës sekretari amerikan, Matthew Palmer, gjatë javës së kaluar ka mbledhur liderë e përfaqësues të të gjitha partive shqiptare të Kuvendit të Kosovës.
Gazeta Express mëson se në takim ishin nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, lideri i VV’së, Albin Kurti; kryetari i Këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi; nënkryetari i PSD’së, Visar Ymeri; lideri i PDK’së, Kadri Veseli dhe ai i AAK’së, kryeministri Ramush Haradinaj.
Ambasada amerikane në Prishtinë, e pyetur nga Express, nuk ka dashur të komentojë takimin e Palmerit me pozitën e opozitën.
“Ambasada nuk komenton për takimet private”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Ndërkaq, një zyrtar, i cili ka marrë pjesë në këtë takim tregon se Palmer u bëri të ditur të ftuarve të tij se pozicioni i Serbisë në tryezën e bisedimeve, është më i mirë se sa i Kosovës.
“Ka kërkuar të jemi të bashkuar dhe na ka kujtuar që pozicioni i Serbisë është më i mirë se i yni”, i ka thënë Expressit një nga pjesëmarrësit.
Ai u ka kërkuar partive që të jenë të bashkuara për dialogun në Serbinë, në mënyrë që të rregullojnë pozitën në përballje me Serbinë.
Ndërkaq, siç mëson Express, përfaqësuesit e LDK’së dhe Vetëvendosje nuk kanë mohuar me çdo kusht se do të bëheshin pjesë e një ekipi të unitetit, mirëpo kanë theksuar se për dialog flasin vetëm pas mbajtjes së zgjedhjeve.
Edhe në këtë takim zyrtari amerikan u ka thënë liderëve partiakë në Kosovë se SHBA nuk ka vija të kuqe lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por se Amerika nuk pranon verbërisht gjithçka që dy vendet e cilësojnë si zgjidhje. /Express/