Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shpreson që në vitin 2019 liderët e vendit të jenë të gatshëm që pa hezitim të marrin vendime të vështira, por të domosdoshme për interesin shtetëror dhe paqen në Ballkan e më gjerë.
Ai tha se Kosova gjendet në një fazë kur duhet të merr një vendim përfundimtar sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me shtetin e Serbisë.
“Mendoj se nuk ka moment më të mirë se tani për të arritur paqen e qëndrueshme dhe përfundimtare. Rrethanat politike në Kosovë dhe Serbi mundësojnë një marrëveshje të tillë. Ndërkaq, në favor të shfrytëzimit të plotë të kësaj mundësie historike janë SHBA-ja dhe BE-ja. Nuk kemi kohë për të humbur tani, por me zgjuarsi dhe të bashkuar duhet të vendosim për të mbyllur konfliktin shekullor me Serbinë dhe për ta hapur atë të paqes”, ka thënë Thaçi.
I pari i Kosovës shtoi se zvarritja e demarkacionit ia pamundësoi BE-së që të marrë vendim për heqjen e vizave dhe se nga ky veprim Kosova fitoi vetëm izolimin
“Përkundër këshillave dhe insistimit të partnerëve tanë ndërkombëtarë për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në vitin 2016, si kusht i vetëm për liberalizimin e vizave, ne dështuam ta bëjmë një gjë të tillë. Për më keq, Kosova papritmas u shndërrua në arenë të protestave të dhunshme. Kështu, me lehtësinë më të madhe dhe falë kauzave të rrejshme politike, humbëm momentin dhe ia pamundësuam BE-së që ta marrë vendimin për heqjen e vizave”.
Thaçi përmendi edhe Letrën e Donald Trump drejtuar Kosovës, që sipas tij ajo ishte një thirrje për unitet në momentin për të bërë një marrëveshje me Serbinë.
“Ishte një thirrje dhe inkurajim për të gjithë liderët e Kosovës, për të shfrytëzuar momentumin e krijuar dhe për të bërë marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë. Gjithashtu, i vetëdijshëm për polarizimet ekzistuese, të cilat janë të rrezikshme, presidenti Trump na bëri thirrje edhe që të jemi të bashkuar dhe të flasim njëzëri për marrëveshjen”.