Era e fortë përplas reshje të ftohta mbi promenadën e qytetit bregdetar bretonez, Dinard. Qielli është gri. Deti është gri. Shtëpitë me gurë janë po ashtu me gur graniti gri. Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, vjen nga kjo zonë prandaj i ka ftuar të vijnë këtu gjashtë demokracitë kryesore të perëndimit. Në muajin prill këtu ka gjithnjë reshje, thotë duke qeshur Le Drian, që ndodhet në kazinonë e ngrohtë. “Tradita këtu në Bretanjë thotë se martesat e bëra në shi janë martesa të mira. Prandaj unë them se: Një G7 në kohë me shi do jetë një G7 e mirë.”
Mikpritësi francez do të flasë kryesisht për pabarazitë sociale dhe politike, që sundojnë në botë. Grupi i të Shtatëve (SHBA, Kanadaja, Britania e Madhe, Franca, Italia, Japonia, Gjermania, dhe BE si vëzhguese) kërkon të krijojë me Afrikën një partneritet të ri, që të jetë mes partnerësh të barabartë, thotë Le Drian. G7 kërkon të mbështesë më shumë se deri tani misionet paqësore të shteteve afrikane në kontinentin afrikan. Mbrojtja e grave në shumë rajone me konflikte duhet të ketë prioritet. Po ashtu duhet luftuar tregtia me njerëzit dhe kontrabanda e armëve. Ministrat e jashtëm janë duke përgatitur planet përkatëse të veprimit, të cilat duhen aprovuar më vonë nga kryetarët e qeverive dhe të shteteve në një takim të nivelit të lartë, që do të mbahet në muajin gusht në Biarritz.
Vetëmbrojtje nga sulmet kibernetike
Jean-Yves Le Drian kërkon më tej që demokracia në vendet e G7 të mbrohet më mirë nga ndikimet dhe manipulimet e zgjedhjeve, nga propaganda dhe sulmet e hakerave. “Ne duhet të jemi në gjendje që të mbrojmë veten, edhe në këto sektorë,” tha ai. Ministrja kanadeze e Jashtme, Chrystia Freeland mendon se Rusia është duke u munduar të ndikojë në zgjedhjet që mbahen në vendet perëndimore, madje edhe në vendin e saj. “Ata nuk manipulojnë direkt rezultatin, por shkaktojnë polarizim dhe përçarje të popullsisë, në mënyrë që ne të kthehemi në cinikë “, tha Freeland.
Franca mban presidencën e radhës në grupin G7 dhe ka përgatitur një seri me nisma, që synojnë përballimin e pasojave të globalizimit dhe ndarjen në mënyrë më të barabartë të pasurisë dhe mirëqënies. Gjysma e pasurisë botërore ndodhet në duart e një përqind të popullsisë, thuhet në deklaratën e konferencës së francezëve. “Kjo nuk mund të vazhdojë më kështu,” thonë diplomatët në bisedat që zhvillohen në sfond të konferencës. “Francezët e kanë kuptuar këtë çështje, sepse në vendin e tyre njerëzit kanë dalë nëpër rrugë.”Ka muaj që çdo fundjavë Jelekëverdhët dhe të tjerët demostrojnë kundër pabarazisë sociale, duke i bërë presion presidentit francez, Emmanuel Macron.
Nuk ka takim të nivelit të lartë pa Brexitin
Ministri i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt ndodhet po ashtu në Dinard dhe duhet të flasë kryesisht për Brexitin që pritet të ndodhë. “Asnjë nga ne nuk do zgjatje të bisedimeve për Brexitin sipas nenit 50,” thotë Hunt i pyetur nga gazetarët britanikë. Pjesëmarrja në zgjedhjet europiane duhet shmangur, megjithatë për arsye ligjore duhet të fillojnë përgatitjet për zgjedhjet. “Ne kemi një parlament të bllokuar aktualisht,” pranon Hunt.
“Brexit pa marrëveshje do të ishte keq për Mbretërinë e Bashkuar dhe për BE. Franca e di këtë “, tha ministri i Jashtëm britanik, duke reaguar ndaj thënieve të Parisit, se presidenca franceze në takimin e nivelit të lartë të BE-së që mbahet javën e ardhshme nuk mund të thotë thjesht Po, ndaj kërkesës së bërë për zgjatjen e bisedimeve. Kryeministrja britanike, Theresa May kërkon që t‘ i jepet kohë deri në 30 qershor për të marrë aprovimin e Paktit për Brexitin. Në fund të majit Parlamenti i ri Europian duhet të zgjidhet edhe në Britaninë e Madhe, nëse britanikët vazhdojnë të jenë anëtarë të BE. “Londra duhet të kthejë përgjigje për shumë pyetje,” tha në Dinard ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. “Kjo është një situatë e vështirë.”
Pompeo shkëlqen prej mungesës
Ministri i Jashtëm amerikan, Mike Pompeo e anulloi pjesëmarrjen në takimin e G7 dhe dërgoi një përfaqësues. Diplomatët shikojnë tek kjo një mungesë të caktuar interesi nga SHBA për këtë forum. Ministrat e gjashtë vendeve të tjera nuk e shohin këtë si sinjal zyrtar. “Ne kemi mendime të tjera nga SHBA, por ne e shohim SHBA si demokracinë kryesuese të botës”, tha ministrja kanadeze e Jashtme, Chrystia Freeland.
G7 është e nevojshme sepse „ne gjendemi në një moment kritik të politikës botërore”. Demokracitë ndodhen nën presion, jo vetëm nga jashtë por edhe nga brenda. Kjo edhe në SHBA vetë, thotë ministrja kanadeze.
Ministri gjerman i Jashtëm, Heiko Maas nuk sheh ndonjë problem të madh në mosardhjen e kolegut amerikan, Mike Pompeo. “Ditët e fundit ne kemi pasur kontakte shumë intensive dhe kemi pasur mundësi të flasim. Prandaj, mos ardhja e tij është e kuptueshme”.
Në fakt ministrat e Jashtëm të G7 vijnë direkt nga takimi i NATO-s në Uashington, gjatë të cilit Mike Pompeo pati rolin e mikpritësit. “Maratona e multilateralizmit vazhdon,” tha ministri gjrman duke patur parasysh udhëtimet që ai ka pasur së fundmi. Ditën e hënë ai ndodhej në Nju Jork tek Kombet e Bashkuara, pastaj tek NATO në Uashington dhe tani në fund në Francë. “Ne nuk kemi asnjë arsye që të dyshojmë se amerikanët nuk do të qëndrojnë në G7. Unë jam i sigurt se edhe në të ardhmen do të jetë kështu.”
Diplomatët francezë janë më skeptikë. Ata mendojnë se Mike Pompeo për shembull nuk do që të marrë pjesë në një diskutim për ndryshimin e klimës, i cili është pjesë e axhendës së konferencës në Dinard. Presidenti amerikan Donald Trump, nuk e pranoi vitin e kaluar Marrëveshjen e Parisit të OKB për klimën dhe në takimin e G7 vitin e kaluar në Kanada morri pjesë, por e bllokoi politikisht. „Ne shpresojmë që Biarritz të sjellë më shumë,” thonë organizatorët francezë, duke patur parasysh gushtin./DW