Përballë sulmeve të presidentit Trump, republikanëve dhe medieve që përkrahin djathtistët, kongresistja amerikane, Ilhan Omar, ka thënë të shtunën se askush nuk mund ta kërcënojë dashurinë e saj të palëkundshme për Amerikën.
Omar i falënderoi përkrahësit e saj për kundërshtimin e administratës që, sipas saj, ua ka ndaluar myslimanëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
“Asnjë person, pavarësisht sa i korruptuar, i paaftë apo i dhunshëm që është, nuk mund ta kërcënojë dashurinë time të palëkundshme për Amerikën. Unë do të vazhdoj të luftoj për mundësi të barabarta për lumturinë e të gjithë amerikanëve”, shkroi ajo në Twitter.
Pas sulmit të presidentit amerikan ndaj kongresistes që është me prejardhje nga Somalia, demokratët e akuzuan Trumpin për nxitje të dhunës kundër saj. Javën e kaluar, një përkrahës i tij nga Nju Jorku u akuzua për kërcënim me vrasje ndaj Omarit.