Meta: Urdhër i papranueshëm, hetoni me përparësi çështjen
Prokuroria e Krimeve të Rënda bën një hap pas nga urdhri për të detyruar mediat të mos publikojnë përgjimet e dosjes 339/1, por pa e anuluar atë. Organi i akuzës deklaron se urdhri i dhënë një ditë më parë, nuk prek gazetarët dhe mediat, por prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore e persona të tjerë që janë njohur me aktet e procedimit penal.
Tërheqja e prokurorisë vjen pas reagimeve të forta që patën gazetarët dhe shoqatat e mediave.
Një reagim të fortë për këtë urdhër pati edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili e atë konsideron atë si cënim të lirisë së shtypit dhe kërkon hetimin me përparësi të kësaj çështje që ka të bëjë me dyshimet për manipulimin e zgjedhjeve.
“Nxjerrja e një urdhrit të tillë, indirekt intimidon median e lirë, ç’ka është e papranueshme për një shoqëri demokratike. Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur”.
Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike por edhe cdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve.
Sipas presidentit, çdo vonesë në hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës nga ana e organit të Prokurorisë, nuk i shërben interesit publik të përgjithshëm.