Këtë të enjte do të nisin bisedimet për formimin e një koalicioni qeverisës mes dy forcave politike që fituan shumicën e votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti do të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa si dhe me kandidaten për kryeministre nga radhët e kësaj partie, Vjosa Osmanin.
Sipas skenarit më të mundshëm, Osmani pritet të jetë ministrja e jashtme e vendit ose kryetare e Kuvendit.
Albin Kurti është shprehur për mediat se këto janë dy profile që do t’i përshtateshin shumë mirë por gjithsesi mbetet për t’u parë se cilat do të jenë rezultatet e takimit të sotëm mes palëve.
Ndërkohë në Kosovë vijon numërimi i votave me kusht dhe atyre të Diasporës si dhe rinumërimi i 313 vendvotimeve që sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë pasur probleme teknike por jo manipulime.