Në seancën e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është diskutuar ligji për arsimin e lartë, i kthyer nga presidenti në Parlament për rishqyrtim.
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla deklaroi në fjalën e saj se “ligji garanton ruajtjen e autonomisë së universiteteve” dhe ka gjetur mbështetjen edhe të ekspertëve të huaj”.
“Të votojmë rrëzimin e dekretit të Presidentit për të mbrojtur ligjin e mbështetur nga grupet e interesit, të cilët janë konsultuar si kurrë më parë, dhe të mbështetur edhe nga ekspertiza e huaj. Komisioni Europian nuk do të toleronte një ligj në kundërshtim me lirinë akademike”, tha Nikolla.
Më parë, në emër të PD-së, deputeti Luçiano Boçi ka kritikuar ligjin me argumentin se, me hyrjen në fuqi të tij shteti merr nën kontroll të plotë sistemin arsimor.
“Shteti shmang rolin e rregullatorit dhe vendoset në rolin e imponuesit. Modeli duket paradoskal dhe një amalgamë e parimeve ekstra-Bolonjë”, ka thënë Boçi.
Ai ka vënë në dukje se, me këtë ligj buxheti për universitetet do të shpërndahet nga agjenci të ndryshme, që përbën sipas tij, “ndërhyrje vertikale në sistem”.
“Me këtë ligj, arsimi i lartë vendoset nën kontrollin e ekzekutivit”, ka thënë Boçi, i cili më tej ka kritikuar edhe vendosjen e tarifave dhe mospërcaktimin e përqindjes së GDP-së për buxhetin e arsimit.
Në përgjigje të këtyre pretendimeve, deputeti i PS, Musa Ulqini ka sqaruar së pari se, tarifat e vendosura në sistemin e arsimit të lartë ekzistojnë prej vitesh dhe se përqindja e GDP-së për buxhetin e arsimit nuk mund të vendoset.
“Me ligjin e ri politika nuk do të ndërhyjë më në sistemin e arsimit të lartë. Në këto kushte mazhoranca vendos për rrëzimin e kërkesës së presidentit”, ka thënë Ulqini.