Dje në Bukuresht në panairin vjeshtor të Rumanisë, u bë promovimi i librit “Dita 24” të autorit Fehmi Ajvazi, publicist dhe shkrimtar. Libri në fjalë, është përkthyer nga në gjuhën rumune nga Marius Dobresku, njohës i denjë i kulturës dhe letërsisë shqiptare. I botuar në Prishtinë më 2012, vepra është botuar nga njëra prej shtëpive më të mëdha rumune, “Corint Books”
Vepra e Ajvazit “Dita 24 – Kronikë për Kosovën”, është një nga librat e rrallët të shkruar dhe të botuar lidhur me luftën në Kosovë, në fakt lidhur me periudhen e bombardimeve të NATO-s (24 mars 1999 – 12 qershor 1999), e njohur edhe si periudha e dëbimit masiv të shqiptarëve nga Kosova nga regjimi gjakatarë serbë i Milosheviqit. Nëse i referohemi përmbajtjes, ky libër është i rrallë për nga qasja, trajtimi, struktura e shkrimit etj., sepse, pasqyron një rrëfim të gjatë autentik në formë të përshkrimit të gjendjes, të ndjeshmërisë psikologjike, të realitetit tragjik që aso kohe ishte krijuar në Kosovë. Vendi ishte totalisht i izoluar dhe popullsia shqiptare, krejtësisht ishte e mbetur në mëshirën e forcave të llojllojshme paramilitare dhe militare serbe.
Duke qenë gazetar shumëvjeçar dhe autor i shumë veprave letrare, Fehmi Ajvazi ka arritur që me praninë e tij fizike dhe me intuitën vrojtuese, t’i pasqyrojë shumë momente, ngjarje dhe procese që janë zhvilluar rreth e rrotull në Kosovë dhe të cilat, ai i ka parë dhe përjetuar në mënyrë autentike në rrethanat e vështira të robërisë dhe të luftës. Shënimet dhe paragrafët, lajmet, copëzat e gazetave, përshkrimet, rrëfimet personale etj., janë përmbajtja autentike e këtij libri, janë po ashtu fakte të dokumentuara që e ndërtojnë një “narracion” të vërtetë historik për secilin që në periudhën e viteve 1998-99 ka qenë brenda, pra në Kosovë. Mbi të gjitha, ky libër është i barasvlershëm edhe për secilin lexues i cili, ka kureshtjen të njihet dhe ta mësojë dramën e madhe të Kosovë.
Me premisa të këtilla, është vlerësuar libri i Ajvazit në promovimin e organizuar nga botuesi “Corint Books” dhe ambasada e Republikës së Shqipërisë në Rumani në kontekst të panairit vjeshtor rumun të librit. Në promovim, ka marrë pjesë Marius Dobrescu, përkthyes, profesoresha Daniela Busha, Arlinda Morava, këshilltare për Kulturë në ambasadën e Shqipërisë, pastaj dr. Kostin Kristesku, Mihaela Citash etj.
“Është e dukshme struktura e librit në formë rrëfimi e ditari, e që na e zbërthen një periudhë të vështirë nëpër të cilën kaloi populli i Kosovës. Kur lexohet, ne kemi një fotografi të gjallë të asaj që është luftë, dëbim, rrëmujë etj. Unë gjithmonë isha i impresionuar nga drama e jetuar nga vëllezërit e mitë Kosovës që u dëbuan përmes dhimbjes së tmerrshme në vitin 1999, dhe jo vetëm, thotë autori i Kosovës, Fehmi Ajvazi. Si gazetar dhe shkrimtar, ai e ka treguar historinë dramatike që e jetoi vetë, bashkë me njerëzit e tjerë. Dhe ne, nuk teprojmë aspak ta kujtojmë eksodin e pothuajse një milion shqiptarëve që u detyruan të jenë refugjatë, dhe as ta krahasojmë këtë dramë të Kosovës me eksodet e ndryshme që ndodhin në ditët e sotme”, ka thënë ndër të tjera z. Marius Dobrsku.
Para pjesëmarrësve në promovim, Dobresku ka treguar se si, e ka pranuar me dashuri e dhembje përkthimin e librit, pavarësisht se Ajvazi si krijues nuk është i njohur në mesin e lexuesit rumunë.
“Ne, vendosëm një bashkëpunim të rëndësishëm me autorin për një vepër që tregonte një histori dramatike. Padyshim, e para ishte që libri kishte përmbajtje, cilësi të veçantë në të shkruar, dhe vlera të vërteta”, ka thënë Dobresku, i cili, ka lexuar përgjatë promovimit edhe pjesë të një “letre – fjale” që autori, në pamundësi për të marrë pjesë pavarësisht ftesës nga botuesi, e kishte dërguar nga Prishtina.
Përkthimi dhe promovimi i këtij libri në Bukuresht, është një ngjarje interesante dhe me shumë rëndësi publicistike, kulturo – letrare, mediale etj., sepse, e pasqyron dhe e përhapë gjithandej të vërtetën historike të Kosovës. Gjithashtu, është një ngjarje që e promovon bashkëpunimin, diplomacinë kulturo – letrare, si dhe historinë shqiptaro – rumune kur kemi parasysh të vërtetën se përgjatë shekullit XIX dhe XX-të, Rumania ishte si një “shtëpi e dytë” e rilindëseve shqiptarë, e mërgimtarëve, intelektualëve po, edhe e shqiptarëve të thjeshtë që jetuan dhe vepruan në Rumani.
Përkthyesi Marius Dobresku është diplomuar në vitet e 70 (shek.XX) në Departamentin e Letërsisë Shqipe në Tiranë. Konsiderohet si njëri nga njohësit dhe përkthyesit kryesorë të letërsisë dhe të kulturës shqiptare në gjuhën rumune. Marius Dobresku, është dekoruar me medalije mirënjohëse presidenciale në Shqipëri, pastaj është nderuar me çmimin Penda e Argjendtë në Tiranë, dhe është fituesi i dyfishtë i Çmimit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë në fushën e përkthimit.