Më në fund nga Parlamenti italian mbërrijnë lajme pozitive për bijtë e emigrantëve. Dhoma e Deputetëve aprovoi me 310 vota “pro”, 66 “kundër” dhe 83 “abstenime”, reformën që thjeshton e shpejton procedurën për dhënien e nënshtetësisë italiane.
Reforma, e cila do të shqyrtohet edhe nga Senati, dega tjetër e Parlamentit italian, përmban në vetvete parimin e “Jus soli” të zbutur që do të thotë fëmijëve të emigrantëve u jepet që në lindje nënshtetësia italiane nesë njëri nga prindërit ka kartën e qëndrimit afatgjatë ose të përhershëm.
Për fëmijët e ardhur të vegjël, pa mbushur moshën 12-vjeçare, kusht i nevojshëm është mbarimi i të paktën një cikli shkollor 5-vjeçar dhe pas të paktën 6 vitesh banimi të rregullt në Itali.
Për ata që kanë mbushur moshën madhore dhe nuk i kanë kapërcyer të 20-at, kërkesa mund të paraqitet nga vetë personi. Parashikohet një procedurë e posaçme për ata që kanë mbushur moshën 20 vjeçare, kështu brenda një viti nga hyrja në fuqi e reformës, duhet të paraqesin një deklaratë ku deklarojnë se kanë dëshirë të marrin nënshtetësinë italiane. Pas shqyrtimeve përkatëse, personi mund të paraqesë kërkesën. Kjo normë kalimtare prek rreth 127 mijë persona.
Në pritje të aprovimit nga Senati reagimet kane qenë të shumta. Nëse e majta e konsideron si një hap të rëndësishëm qytetërimi, të djathtët dhe lëvizja “5 yjet” flasin për një dhuratë të nënshtetësisë italiane dhe zhvleftësim të identitetit kombëtar.