“Në sistemin tonë gjyqësor ka një numër jo të vogël individësh, që nga pikëpamja profesionale nuk kanë lidhje me gjyqësorin”.
Duke e nisur me këtë nënvzim fjalën përpara studentëve të Fakultetit Juridik, presidenti i Republikës, Bujar Nishani u ndal gjatë tek reforma në drejtësi.
Kreu i shtetit e konsideroi të papranueshëm kufizimin kushtetues që është propozuar, që çdo ndryshim i ligjit themeltar të shtetit nuk mund të çohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Edhe këtu jam i bindur se çdo jurist që e dëgjon mendon që kush është garancia e një akti. Presidenti? Dakord, sot e kemi një president të mirë, sa për t’i bërë pak qejfin vetes. Po nesër? Pra, filtri i fundit i parashikuar nga sistemi ynë i dhënies së garancisë së një akti nuk është Presidenti, Parlamenti apo Qeveria. Është Gjykata Kushtetuese”, tha Nishani.
Presidenti i Republikës nuk u shpreh dakord gjithashtu me ndalimin kushtetues të krijimit të gjykatave speciale. Për krimin e organizuar dhe korrupsionin e niveleve të larta politike dhe shtetërore, mund të lindë nevoja për to, tha kreu i shtetit.
Ai ripërsëriti se reforma në drejtësi po bëhet pa transparencë e gjithëpërfshirje, duke shtuar këtu se janë mënjanuar edhe akademikët e fushës së drejtësisë.
Ajo që presidenti nuk kundërshton është parashikimi ligjor që kreu i shtetit të mos jetë më edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe këtu e ka një rezervë për alternativën e propozuar.
“Absolutisht po. Mund të mos jetë fare presidenti. Personalisht mendoj që mund të mos jetë, por është parashikuar në amendamentet kushtetuese që të vijë një njeri i zgjedhur politikisht”, nënvizoi Nishani.
Presidenti i Republikës mbajti këtë leksion të hapur në Fakultetin e Drejtësisë, vetëm pak ditë pas letrës për Kuvendin, ku nënvizonte mënjanimin e institucionit që drejton nga procesi i hartimit të reformës në drejtësi.