Kancelarja gjermane Angela Merkel udhëton të djelën drejt Turqisë, me një axhendë të ngjeshur bisedimesh mbi terrorizmin ndërkombëtar dhe luftën e përbashkët kundër tij, konfliktin sirian dhe, kryesorja, çështjen e refugjatëve, të kthyer në sfidën më të madhe të Europës sot.
Ndalesa e saj në Ankara mund të jetë një gur kilometrik për negociatat që liderët e BE-së shpresojnë fort se do t’i sjellin bashkëpunimin turk, aq të vyer në frenimin e vërshimit të emigrantëve drejt Perëndimit.
Por me Turqinë nuk është e lehtë të bësh parashikime, thotë “The Guardian”. Fundi i viteve ‘80 ishte koha kur presidenti i atëhershëm Turgut Ozal bënte vizita emocionuese në faltoret e lashta të grupeve turqishtfolëse Sufi, të Azisë Qendrore. Ishte koha kur diplomatët e atëhershëm të rinj dhe brilantë turq hidhnin ura komunikimi me Kaukazin.
Në qytetet bregdetare turke në Detin e Zi glonte tregëtia. Megjithatë, ishte dhe koha kur Turqia rinisi të zbulonte dimensionin e saj lindor e nën baticën e ngritjes së shtresës së mesme anadollake, që donte shkëputje nga laicizmi strikt, trashëgimi e Ataturkut, rigjeti rrënjët tradicionale myslimane.
Kjo, kujton prestigjozja britanike, solli nga fillimi i viteve 2000 daljen në skenë të partisë së moderuar islamike, AK-së, akoma edhe sot në pushtet. Citimi i një analisti tregon sesi e shihnin njerëzit atëherë situatën: “ikëm nga kazermat ushtarake në supermarket”, çka nënkuptonte kthesën e Turqisë nga regjimi ushtarak në një ekonomik.
E jo më larg se në 2011-n, do të përshkruhej si model i balancimit të Islamit me demokracinë. Po atëherë çfarë ndodhi? Çfarë shkoi keq?
Përgjigjen, “The Guardian” e kërkon tek mania e Erdogan për t’u kthyer në një “sulltan” të ri. Politikat e tij të fundit tregojnë se luftën me kurdët e nisi për të grumbulluar pas vetes nacionalistët dhe për të shtypur kundërshtarët me metodat e përhershme prej shteti policor. Politikën e jashtme e ka konfuze, forcat ruse i janë afruar rrezikshëm e ndërkohë, hendeku kulturor në vend sa vjen e thellohet.
Turqia që dikur aspironte të kthehej në fuqi rajonale, sot lufton me një ekonomi të ngadalësuar, pasiguritë dhe pakënaqësinë e brendshme.
E ndërsa BE-ja shprehet e gatshme t’ia shtojë ndihmën me qëllim menaxhimin e situatës së emigrantëve, zgjidhja e krizës shumëplanëshe të vendit, vazhdon “The Guardian”, do të kërkojë më shumë sesa thjesht fonde.