Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë sërish gjatë kësaj të premteje për shkak të gazit lotsjellës të hedhur nga deputetja e opozitës, Donika Kadaj-Bujupi, pavarësisht vendosmërisë së mazhorancës për ta mbajtur seancën plenare, të thirrur fillimisht në orën 16:00.
Në fillim, deputetët opozitarë hodhën gaz lotsjellës në korridoret e Kuvendit, duke rrezikuar kështu nisjen e seancës plenare, por që në fakt sipas policisë salla e mbledhjeve plenare nuk ishte ndikuar nga gazi lotsjellës, ndaj dhe gjithçka u bë thuajse gati për të nisur seancës pas më shumë se 30 minutash vonesë.
Në seancë u panë të hynin si deputetët opozitarë, edhe kreu i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, si dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi, njëkohësisht ministër i Jashtëm. Megjithatë, edhe pse u duk sikur gjërat do të shkonin mirë këtë herë, ka qenë sërish deputetja e VV-së, Donika Kadaj-Bujupi që ka hedhur gaz lotsjellës edhe në ambientet e brendshme të sallës, duke detyruar kryeparlamentarin Veseli të kërkojë 60 minuta pushim dhe thirri mbledhjen e Kryesisë në sallën 301, ku ftoi edhe opozitën të merrte pjesë.
Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca akuzon kryetarin Kadri Veseli se po tensionon situatën. “Do t’i përdorim të gjitha mjetet dhe seanca nuk do të vazhdojë”, deklaroi ai pas daljes nga salla e Kuvendit.
Aktivistë të partive opozitare, të mbledhur jashtë Kuvendit, raportohet se kanë hedhur disa mjete të dyshuara si piroteknike, ndërsa ka ndërhyrë policia dhe i ka larguar disa metra larg rrethimeve, duke formuar edhe një kordon sigurie.
Ndërkaq, vazhdon të vonohet rifillimi i seancës së Kuvendit, edhe pse ka kaluar mëse 1 orë nga koha që dha pushimin kryetari Veseli. Ai thirri edhe një mbledhje Kryesie, e cila ende nuk është zhvilluar.
Top Channel ka mësuar se, arsyeja e shtyrjes ishte se mungonte anëtari i Kryesisë nga PDK-ja, Xhavit Haliti, dhe anëtari tjetër nga minoriteti, Slobodan Petroviç. Pa këta dy anëtarë, të cilët kanë qenë jashtë vendit, dhe me bojkotimin e opozitës, Kryesia nuk ka kuorum të mbajë mbledhje.
Mësohet se, Xhavit Haliti është duke u kthyer nga Tirana, ku ishte në një aktivitet parlamentar, dhe së shpejti do të mbërrijë në Kuvend për të mundësuar kuorumin për mbajtjen e Kryesisë. Megjithatë duket se mbledhja e Kryesisë është anuluar dhe tashmë pritet që seanca plenare të rifillojë në orën 20:00.
Lëvizja Vetëvendosje mori përsipër edhe autorësinë e hedhjes së gazit lotsjellës jashtë ambienteve, kësaj here përmes një njoftimi për mediat. “Deputetët e opozitës hodhën gaz lotsjellës pranë zyrës së Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Ky i fundit e blindoi Kuvendin me forca policore, njësoj si Isa Mustafa po e blindon shoqërinë duke arrestuar, përndjekur e rrëmbyerr deputetë e qytetarë”, thuhet në njoftim.
Opozita shton se nuk do të lëshojë pe kur është në pyetje sovraniteti shtetëror, interesi qytetar, liria dhe barazia. “Protesta jonë brenda Kuvendit vazhdon, deri në tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit me Malin e Zi”, mbyllet komunikata.
Një ditë më parë opozita është shprehur se do të bllokojë sërish seancën kuvendore. Në një intervistë për Top Channel, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se deputetët e opozitës nuk do ta bojkotojnë seancën, por do të shkojnë në Kuvend dhe do ta bllokojnë sërish mbajtjen e saj. Ndërkohë, një ditë më parë shoqëria civile në Prishtinë protestoi me çadra të bardha, kundër dhunës në Kuvend.