Numër i lartë i viktimave në Angli brenda 1 dite

24-orëshi i fundit ka qënë dita më e zymtë në Mbretërinë e Bashkuar. 980 viktima janë shënuar vetëm mbrëmjen e djeshme, duke qenë edhe piku që prej shpërthimit të pandemisë. Një rritje me rreth 100 viktima nga një ditë më parë, që e dërgon numrin e vdekjeve në total në 8958.

Ndërsa në Itali kanë nisur të mendojnë për daljen nga shtetrrethimi. Numri i viktimave gjatë 24 orëve të fundit ka zbritur në 570 dhe qeveria po mendon lehtësimin e masave. Pavarësisht se është shteti më i goditur, ku numëron 18.849 viktima, Italia po mendon të krijojë liri për popullatën dhe më shumë frymëmarrje për ekonominë.

Prej së martës së 14 Prillit do të hapen libraritë dhe dyqanet për fëmijë, me Ministrinë e Brendshme që konfirmon se biznesi do të përballet me një situatë alarmante gjatë këtyre ditëve. Megjithatë, i gjithë vendi do të vazhdojë të jetë i bllokuar për shkak të urgjencës së koronavirus deri më 3 Maj.

Rënia nga një ditë më parë ka pasur edhe në Spanjë. Autoritetet shëndetësore atje konfirmojnë se në 24-orëshin e fundit janë regjistruar 634 viktima, duke pësuar një zbritje të lehtë me 21 viktima nga një ditë më parë. Tashmë numri në total i vdekjeve për shkak të koronavirus në Spanjë shkon në 16.081. Franca ka zbritur poshtë kufirit të 1000 viktimave, ku në 24 orët e fundit raportohet për 987 të vdekur. Situata e qetë raportohet në Gjermani, ku në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 129 persona.

Leave a Reply