Krerët e opozitës në Kosovë kanë pasur këtë të mërkurë një takim, ku me gjithë rezervat e shprehura për MSA-në, të cilën e konsiderojnë si të paplotë dhe se ka qenë e mundur të negociohej më mirë, është konfirmuar se opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit të MSA-së.
“Kjo marrëveshje ka edhe disa të meta, që mund të kenë reflektim negativ në zhvillimin politik në vend, duke pasur parasysh veçanërisht trajtimin që kjo marrëveshje i bën Kosovës, të cilën e konsideron jo si shtet, dhe me denominimin antikushtetues të saj, ku Kosova paraqitet me ‘shënim bashkëshoqërues’ e pa emërtimin Republikë në të. Kjo e zhvendos marrëveshjen në një rrafsh tjetër prej MSA-ve të nënshkruara nga shtetet e tjera të rajonit.
Kushtëzimi që i bëhet Kosovës në MSA, me marrëveshjet me Serbinë, është i padrejtë. Marrëdhënia e Republikës së Kosovës me Bashkimin Europian është e domosdoshme dhe e mirëpritur, por kjo marrëdhënie duhet të realizohet në kushte barazie dhe reciprociteti, e jo në atë të njëanshmërisë. Megjithatë, kjo marrëveshje shënon një hap në marrëdhëniet kontraktuale me BE-në.
Gjithashtu nuk ka pasur asnjë kundërshti, që Presidenti i Austrisë t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përkundrazi kjo gjë përbën një nder për Parlamentin.
Ky është një qëndrim parimor i opozitës dhe nuk e ndryshon pozicionin e saj për marrëveshjet e Demarkacionit dhe Asociacionit, ndaj dhe kërkojmë nga shumica parlamentare të mos tentojë të provojë, që në emër të gatishmërisë sonë për të mos bllokuar ratifikimin e MSA-së, të fusë kontrabandë tema të tjera në të njëjtën mbledhje. Në një situatë të tillë, përgjegjësia do të ishte e pozitës”, ka thënë opozita në deklaratën e përbashkët.