Në një intervistë për Abc News, analisti dhe politologu nga Kosova, Ramush Tahiri foli për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Prokuroria e Hagës ka ngritur zyrtarisht një sërë akuzash për presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK Kadri Veselin, duke i akuzuar për krime lufte.
Lidhur me këtë situatë, Tahiri u shpreh se tashmë dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë dhe nuk mund të ripërsëritet të paktën për një vit.
“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë. Ky dialog nuk mund të ripërtërihet së paku për një vit. Është një shans i humbur dhe është një befasi për të gjithë sepse në këtë moment nuk kishte nevojë të publikoje akt-akuza”, u shpreh ai.
Më tej, analisti shtoi se tashmë është fakt që Hashim Thaçi nuk do të jetë më faktor në këto bisedime. Siç thotë ai kjo është goditje për iniciativën amerikane, por edhe për atë franceze.
“Bisedimet janë ndërprerë dhe është fakt që presidenti Hashim Thaçi nuk do të jetë faktor. Është goditje për iniciativë amerikane, por edhe për atë franceze. Kosovarët nuk do të mund të shkojnë në takimin me Macron”, u shpreh ai. /abcnews.al