Agjencia Associated Press njoftoi të premten se gjysma e vdekjeve nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara janë njerëz me ngjyrë – afrikano-amerikanë, hispanikë, indigjenë dhe aziatikë.
Një analizë e bërë nga Associated Press dhe Projekti Marshall, një organizatë jofitimprurëse e lajmeve që mbulon sistemin e drejtësisë penale, zbulon se ndërsa njerëzit me ngjyrë përbëjnë më pak se 40% të popullsisë amerikane, ata përbëjnë afërsisht 52% të të gjitha “vdekjeve mbi normalen” deri në korrik. Raporti I përcakton vdekjet mbi normalen si numrin e njerëzve mbi atë tipik të vdekshmërisë në Shtetet e Bashkuara gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2020, bazuar në shifrat e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, Sh.B.A ka më shumë raste të infektimit dhe vdekjeve me koronavirus se çdo vend tjetër, me 5.6 milionë infeksione dhe më shumë se 175,000 vdekje. Brazili ka 3.5 milionë raste dhe India po i afrohet shifrës së 3 milionëve. Në mbarë botën ka gati 23 milionë raste me COVID-19 dhe pothuajse 800,000 vdekje, njoftoi Johns Hopkins të shtunën. Shefi i urgjencave në Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Mike Ryan tha të premten se shkalla e pandemisë në Meksikë është “e panjohur mirë” dhe se testimi atje është i kufizuar.
Ai tha në një konferencë në Gjenevë se Meksika po testonte rreth 3 persona për 100,000 banorë krahasuar me rreth 150 teste për 100,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara. Sipas universitetit Johns Hopkins, Meksika kishte gati 550,000 raste të virusit në fillim të së shtunës dhe më shumë se 59,000 vdekje. Koreja e Jugut po vendos një ndalim mbarëkombëtar për tubime të mëdha, duke mbyllur kishat, klubet e natës dhe plazhet. Përveç kësaj, tifozët nuk do të lejohen në ngjarje profesionale sportive.
Ministri i Shëndetësisë Park Neung-hoo tha të shtunën se kufizimet e reja në mbarë vendin, të cilat fillojnë të dielën, vijnë pas nëntë ditë të rritjeve tre shifrore në rastet e koronavirusit. Qendrat Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve regjistruan 332 raste të reja të shtunën. Vendi ka më shumë se 17,000 infeksione të koronavirusit dhe më shumë se 300 vdekje.
Disa vende evropiane kanë raportuar raste të reja të shtimit të infeksionit me COVID-19. “Nuk duhet të ketë konfuzion: gjërat nuk po shkojnë mirë”, tha Fernando Simón, shefi i urgjencës shëndetësore në Spanjë, këtë javë. “Nëse vazhdojmë të lejojmë transmetimin të rritet, edhe nëse shumica e rasteve janë të lehta, ne do të përfundojmë me shumë njerëz në spital, shumë në kujdes intensiv dhe shumë vdekje.” Numri i rasteve me COVID-19 të pranuara në spitale javën e kaluar në Spanjë ishte dyfishi i numrave të pranimit nga java e kaluar.
Berlini përjetoi një shpërthim të COVID-19 pasi u hapën shkollat. Qindra nxënës dhe personeli i shkollave tani janë në karantinë. Nxënësit në Francë do të shkojnë në shkollë edhe pasi vendi regjistroi 4,700 raste të reja të enjten dhe më shumë se 4500 të premten. Në Gjermani, zyrtarët paralajmëruan të premten kundër udhëtimit në kryeqytetin belg Bruksel për shkak të shkallës së lartë të infeksioneve me koronavirus.
Britania tha të premten se planifikon të fillojë testime të rregullta, në të gjithë popullsinë, për COVID-19 deri në fund të vitit për të ndihmuar në uljen e përhapjes së virusit. Vendi ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë, me më shumë se 41,000 vdekje. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë thotë se shpreson që pandemia e koronavirusit të përfundojë në më pak se dy vjet – më pak kohë sesa u desh për të ndaluar gripin spanjoll të vitit 1918. Duke folur të premten në një konferencë të rregullt në Gjenevë, shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se çelësi për ndalimin e virusit është që vendet në të gjithë botën të “bashkojnë përpjekjet”./VOA