Republikanët hapin konventën
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron se demokratët mund të vjedhin votat në zgjedhjet presidenciale të 3 Nëntorit, për të garantuar zgjedhjen e kandidatit të tyre Joe Biden, President. Paralajmërimin e bëri në hapje të konventës republikane, ku këtë javë ai pritet të pranojë zyrtarisht kandidaturën e partisë së tij për një mandat të dytë presidencial.
Trump akuzoi demokratët se po duke shfrytëzuar pandeminë, kërkojnë që votat për zgjedhjet presidenciale të këtij viti të dërgohen me postë nga shtëpitë dhe të mos shkohet në kutitë e votimit. Kjo sipas tij është një mënyrë e mirë për të manipuluar rezultatin.
“Ajo çfarë ata po bëjnë është që po përdorin COVID-in për të vjedhur zgjedhjet. Po përdorin COVID-in për të mashtruar popullin amerikan se po zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë nuk mund ta lejojmë”, tha Trump.
Konventën e përshëndeti edhe senatori i vetëm me ngjyrë Tim Scott, për t’u kujtuar zgjedhësve se republikanët nuk janë kundër komunitetit afro-amerikan dhe vrasjet nga policia të afro-amerikanëve që kanë shkaktuar revoltat e fundit, po përdoren po ashtu politikisht nga demokratët.
Mesazheve në mbështetje të republikanëve iu bashkua edhe djali i madh i Trump-it, Donald Junio, i cili krahasoi Biden-in me monstrën e Lohnesit. Ndërsa një përfaqësues i komunitetit kuban në konventë tha se demokratët kanë platformë komuniste qeverisjeje.