Duket se konflikti turko grek në mesdheun lindor nuk po shkon drejt një zgjidhjeje pasi Turqia nuk heq dorë nga operacionet e kërkimit të gazit dhe naftës në zonat e diskutuara detare me Greqinë e Qipron.
Kreu i shtetit turk zgjati misionin e anijes Oruç Reis deri më 1 shtator dhe njoftoi se do të zhvillonte manovra qitjeje përballë brigjeve të Iskenderunit, në veri-lindje të Qipros në datat 1 dhe 2 shtator.
Vetëm pak orë pas kësaj deklarate, Greqia ratifikoi marrëveshjen e 6 gushtit me Egjiptin për kufijtë detarë. Por Ankaraja zyrtare e konsideron paktin si shkelje të shelfit të saj kontinental. Marrëveshja mbivendoset gjithashtu me zonat detare për të cilat Turqia ra dakord me Libinë vitin e kaluar, dhe u quajt e paligjshme nga Greqia.
Për më tepër Greqia ka në plan të shtyjë kufirin e ujërave të saj territoriale në Detin Jon deri në 12 milje detare, nga gjashtë që është aktualisht. Por Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm i Athinës në ujërat në lindje të Greqisë do të ishte shkak për luftë.
Ankaraja këmbëngul që të ngushtohen ndjeshëm zonat ekonomike të ishujve grekë në Egje, pranë bregdetit turk.
Ndërkohë, diplomacia europiane është vënë në levizje për zgjidhjen e krizës: presidenti Erdogan takohet këtë të premte me kancelaren Merkel, në një tjetër përpjekje për uljen e tensioneve.