Opozita braktisi shqyrtimin nen për nen të ligjit të pronave, të cilin e kundërshton me argumentin se, ai i kthen pronarët në vitin 1945, duke mos i kompensuar me vlerën e tregut në rastin kur prona është e zënë, sikundër nuk iu kthen atyre 100 për qind pronën kur ajo është e lirë.
“Ju thoni që t’i merrni atyre që kanë më shumë. Tatim i jashtëzakonshëm apo me fitim ballë për ballë jeni ju? Ai thes me grurë që s’ju duhet juve do t’iua marrim neve? Jo, kjo nuk duhet të ekzistojë. Nëse doni që të mos ua ktheni, pranojeni, thoni që jeni një mazhorancë e majtë dhe që nuk e vrisni mendjen për këtë. Ne e bëmë dhe ne do ta vazhdojmë kështu. Por jo të thoni se po zgjidhni problemin e pronarëve, thjesht sa po zgjidhni problemin e buxhetit”, tha Oerd Bylykbashi, deputet demokrat në Komisionin e Ligjeve. “Na lini neve të mbajmë përgjegjësinë për moszgjidhjen gjatë 8 viteve, por ju mos bini nën nivelin tonë”.
“Gjykatat kushtetuese në tërësi, në arsyetimet e tyre kanë folur për shpërblim të drejtë, për kompensim të arsyeshëm. Asnjëherë nuk kanë folur për shpërblim të plotë apo kthim të plotë. Sigurisht që, standardin se ku është i mundur të kthehet fizikisht e ruan edhe ky ligj”, replikoi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Kjo është një tallje me të gjithë atë shtresë të përvuajtur. Vota jonë është kundër për këtë”, tha Bylykbashi, teksa ngrihej nga mbledhja e komisionit.
Mazhoranca e votoi e vetme projektligjin e pronave. Komisioni miratoi gjithashtu një tjetër projektligj të debatuar mes vet radhëve të mazhorancës, atë për lojërat e fatit.
Ashtu si në parim, edhe nen për nen, kryetari i Komisionit Fatmir Xhafa abstenoi, ndërsa një pjesë e deputetëve të majtë shprehën pakënaqësinë për parashikimin ligjor për lotarinë kombëtare, duke propozuar rikthimin e saj nën administrimin e shtetit me mbarimin e kontratës aktuale.