Xhematë të nderuar, myslimanë të dashur të Shkupit e të mbarë vendin, mos mendoni se keni hoxhallarë, mos mendoni se nëpër namaze po lidheni pas hoxhallarëve! Gaboheni! Nuk ka hoxhallarë që do të lejonin shitje e zhdukje të vakëfeve, që do të lejonin një BFI pa integritet, që do të lejonin të dretjohen nga një person që u instalohet nga zgjatimet e komunizmit dhe ateizmit
Shkruan Nijazi Fetahaj
Pas periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë si dhe të Tokave Shqiptare (Kështu quheshin viset e Shqipërisë Etnike), hoxhallarët aderonion në shumë lëvizje politike e kombëtare, që nga lëvizjet që ishin për vazhdimësinë e “politikave të Babës Mbret”, e deri te politikat që reflektonin ideale të Rilindjes Kombëtare. Dua të them që, hoxhallarët nuk ishin vetëm statistë, që ia caktonin vetes vetë rolin e të predikuarit dhe të mësuarit fe, por, ishin drejtues, misionarë të besimit e të besës, gjahtarë të tradhëtarëve e të spiunëve, ishin lufëtarë të paepur për fe e për atdhe, për Zot e për komb, sepse, ata e dinin që, për të pedikuar duhej të ekzistonte një komb kujt i drejtohesh me predikime fetare, për ta pranuar predikimin duhej të ishe i dashur nga kombi, pra, duhej të punoje edhe për komb që e ndjenë jetike nevojën për t’iu mbështetur Zotit.
Pas Luftës “nacionalçlirimtare”, instalohet ideologjia komuniste dhe, roli i fesë dhe i predikuesve zbehet deri në një “element prapanik”, i cili duhet të çrrënjoset nga jeta jonë.
Në këtë sistem ateist, hoxhallarët trajtoheshin si mjet tallje; me hoxhallarrët talleshin në çdo takim e në çdo ndeje, hoxhallarët llogariteshin si hendikepi më i madh i shoqërisë, në çdo hoxhë shihnin nga një “Nasradin hoxhë”. Është periudhë kur hoxha trajtohej me rolin që nevoitet vetëm për atë sendin mashkullor: hoxha duhet për ta bërë aminin kur ta bëjmë djalin synet; hoxha duhet kur ta fusim djalin dhëndër dhe të lutet që dhëndri të kalojë sa më mirë deri në mjes dhe, krejt në fund, hoxha duhet me ia fërku xhenazes kur ta përgatisë për në varr!
Fatkeqësisht, ky rol u trashëgua, sikur u pëlqeu hoxhallarëve dhe, krahas kënaqësisë që ndjejnë me vazhdimësinë e talljes, mjaftojnë edhe me rolin që e gëzojnë edhe më tej nga shoqëria.
Hoxhallarët sot, janë të lumtur me këtë “plus profesion”, sepse e sigurojnë ekzistencën, i marrin pas çdo “eventi” të tillë, kush nga 50 euro, kush nga 100 euro dhe, të kënaqur të gjithë, edhe hoxha edhe myslimanët!
Por, a është kjo fe? A është ky Islam! A ia ka caktuar feja Islame këtë rol hoxhallarëve, apo këta ia kanë zgjedhur vetëvetes. A është roli i hoxhallarëve që gjithmonë të përgatisin kuadro fetar e patriotë, a duhet të vrapojnë pas këtij misioni apo të vrapojnë e të gjejnë se ku do të ketë ndonjë synetllëk, ndonjë dhëndri e ndonjë xhenaze!
Ose, ta zbusim pak kritikën! A është hoxha ekskluzivisht për t’i mësuar xhematet e sotshëm se si të marrin abdest dhe se si të falen? A nuk është ky nënçmim i myslimanëve sot, kur, këto mësime i kanë të trashëguara prej stërgjyshërve, gjyshërve, prej baballarëve të tyre! Mësimet e këtilla, madje edhe më të gjëra dhe më të thukta i kanë secili në xhep, në celular, në kompjutor! Roli i hoxhallarëve me këtë mision klasik tashmë është tejkaluar dhe është bërë demode! Hoxhallarët sot duhet ta tejkalojnë vetëveten, duhet të dalin nga ajo lëvozhga ku janë strukur e ku durojnë mijëra tallje, ofendime, përçmime, fatkeqësisht, të gjitha të merituara!
Ftakeqësisht, hoxhallarët sot meritojnë çdo sharje, çdo ofendim e nënçmim. Ky konstatim është shumë i rëndë, shumë i keq, shumë armiqësor, por, mjerisht, i meritueshëm!
Kam pyetur me dhjetra imamlerë, hoxhallarë, teologë të ndryshëm, pse heshtin, pse janë kaq anemikë në raport me ofendimin e fesë islame, ku është ai rrebelimi i tyre i shenjtë në raport me mbrojtjen e institucioneve fetare. Të gjithë, në union, të japin një përgjigje: po më duhet të duroj, e kam për bukë!
Do me thënë, hoxhallarët sot, për bukë e gojës durojnë t’ua bëjnë “reis” edhe nipin e Rankoviqit, edhe nxënësin e Petkos, edhe informatorin e Dragoviqit!
Do me thënë, hoxhallarët sot, për bukën e gojës e durojnë kriminelin i cili pa kurrfarë insafi e frike nëpërkëmbë dinjitetin e Institucionit të BFI-së due ia shkelur e përbaltur tërë Kushtetutën e cila bazohet ekskluzivisht në dy shtyllat e islamit: në Kuran dhe në Sunetin e Pejgamberit tonë, Muhamedit a.s.
Do me thënë, hoxhallarët sot, për bukën e gojës, heshtin dhe nuk e kundërshtojnë shitjen e vakëfit, të cilin të parët tanë e krijuan ekskluzivisht për ta zhvilluar jetën fetare islame në këto anë dhe jo që të bëhet bazë e pasurimit të bashkëpunëtorëve të shërbimeve të ndryshme intelegjente.
Do me thënë, hoxhallarët sot, për bukën e gojës, lejojnë dhe fare lehtë e përballojnë bashkëpunimin me elementë antifetarë e antihumanistë të cilët feja i llogaritë si armiqë e si mynafikë.
Për hirë të islamit, për hirë të parimeve islame, për hirë të Kuranit e të dashurisë ndaj Pejgamberit a.s. të parët tanë, jo që nuk thyheshin për një bukë goje por, me lehtësinë fare të përballueshme pranonin që të vdisnin e mos të degradonin deri në qenie pa integritet, pa dinjitet e pa personalitet, siç kanë ngelur hoxhallarët e sotshëm.
U ngritën sërë aferash, u prekën sërë problemesh, u zbardhën dhe u trajtuan një varg shkeljesh e talljesh me islamin në këtë nënqiell, ndërsa asnjë hoxhë (me dy-tre përjashtime) nuk u iritua, nuk kundërshtoi, nuk u revoltua, nuk u hidhërua! E gëlltitën bash siç e gëlltisin bukën e gojës!
Sot hoxhallarët tanë e hëngrën turpin me bukë që në momentin ku pranuan që për kryepar t’ua sjell në krye LSDM-ja, t’ua imponojë një njeri me karrierë të begatë në një profesion të cilin islami e lufton në parim!
Sot hoxhallarët tanë e hëngrën turpin me bukë që në momentin kur vendosën që ta mbyllin gojën me thërimë buke dhe mos të reagojnë kundër shkeljeve kushtetutare që u bënë në BFI.
A mund të pranohet se në Shkup dhe më gjërë ka hoxhallarë ndërkohë që para hundëve të tyre shitet, vidhet, tjetërsohet e falet vakëfi, amaneti i trashëguar nga të parët tanë për ta mbajtur të gjallë e për ta shtuar frymën islame në këto hapësira!
Si guxojnë të heshtin hoxhallarët e sotshëm para vendimeve që i sjell antihoxha e antimyslimani që, nga toka e falur për varreza myslimane, dikush të përfitojë për një varr myslimani në tokën e falur!
Jo, nuk ka sot hoxhallarë si dikur. Nuk kryhet misioni i hoxhës duke shitur kopalla në emër të fesë e të Zotit! Hoxha i mirëfilltë kurrë nuk i pranon urdhërat dhe vendimet e nxënësit të Dragoviqit! Hoxha i mirëfilltë, ai i bekuari, i devotshmi, jo për bukën e gojës por, për asnjë çmim nuk do të pranonte që në shtëpinë e vet të pranonte në kafe, bie fjala, një rakixhi, një spiun, një udbash, një krimiel, një soj të Stojanço Angellovit, i cili urdhëron e udhëheq operacione të “branitellave” për të vrarë sa më shumë shqiptarë e myslimanë, për të bombarduar e rrafshuar përdhe xhami e minare!
Xhematë të nderuar, myslimanë të dashur të Shkupit e të mbarë vendin, mos mendoni se keni hoxhallarë, mos mendni se nëpër namaze po lidheni pas hoxhallarëve! Gaboheni! Nuk ka hoxhallarë që do të lejonin shitje e zhdukje të vakëfeve, që do të lejonin një BFI pa integritet, që do të lejonin të dretjohen nga një person që u instalohet nga zgjatimet e komunizmit dhe ateizmit! Mos lejoni që hoxhallarët e këtillë t’ju japin selam, refuzojani selamin, mos ua parnoni, sepse, e kanë manipulim, e kanë sa për t’ju shitur devotshmëri derisa të shitet tërë vakëfi, tërë pasuria e BFI-së dhe në fund edhe vetë BFI-ja! Sepse, e kanë për bukën e gojës! Ua zëftë frymën!
As unë nuk jam hoxhë, prandaj, kam vendosur që bukën e gojës ta fitoj duke ruajtur shkollë! Rojtar hesapi, por, me shumë dinjitet e personalitet si dhe me vendoshmëri për t’i luftuar të gjitha dukuritë, të githa intrigat, tradhëtitë dhe krimet që bëhen në emër të Zotit e të kombit!
Prandaj, nuk dua të jem hoxhë, sepse, druaj se do të ngjasoj në hoxhallarët e sotshëm!